Mbi 12 të vdekur dhe 15 të plagosur është bilanci i një ngjarjeje tragjike në New York në prag të Vitit të Ri. Një zjarr ka rënë në një ndërtesë në lagjen Bronks ndërsa shkaqet e tij nuk dihen ende. Mes viktimave është një fëmijë më pak se një vjeç, por bilanci është ende provizor.

Kryebashkiaku Bill De Blasio ka mbërritur menjëherë në vendin e tragjedisë, nga ku ka thënë se: “Zjarri më i keq i ndodhur në qytet. Ky rast do të shënojë një ndër rastet me më shumë viktima nga zjarri në disa vite. Kjo është tragjedia më e madhe e zjarrit që e kemi parë në qytet, në të paktën një çerek shekulli”, ka thënë ai.

Zjarri shpërtheu në veri të New York-ut dhe ka shkatërruar një ndërtesë 5-katëshe në 2363 Prospect Avenue në Bronx. “Zjarri nisi në katin e parë dhe u shpërnda me shpejtësi në katet e sipërme. Njerëzit nuk kishin shpëtim”, tha shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të New York City.