Banorët e zonës Rrashbullit në Durrës janë duke u përballur me një problem serioz për shëndetin dhe sigurinë e tyre për shkak të djegies së mbeturinave në një vendgrumbullim të paligjshëm në rrugën “Prishtina”.
Sipas banorëve, persona që nuk janë nga lagja e tyre sjellin mbeturina të ndryshme me kamionçina dhe furgona dhe i depozitojnë në këtë vend. Mbeturinat, pasi grumbullohen, shpesh u vihet flaka gjatë natës, duke krijuar tym të dendur që përhapet pranë shtëpive të banorëve.
Ky fenomen jo vetëm ndot ajrin dhe rrezikon shëndetin e komunitetit, por edhe përbën rrezik real për përfshirjen e banesave nga zjarri, pasi vendgrumbullimi ndodhet shumë afër shtëpive.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të parandaluar këtë situatë të rrezikshme.





