Situata në Poliçan është alarmante, pasi një vatër aktive zjarri po përparon me shpejtësi drejt qytetit.
– Advertisement –
Zona është mbuluar nga tymi dhe flakët, ndërsa autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve.
Të moshuarit e strehuar në azilin e pleqve janë evakuuar, ndërsa po vijon evakuimi i banorëve në zonën e Plirezës.
Zjarri është gjithashtu duke avancuar në drejtim të fshatit Mbrakull, duke rritur rrezikun për zonat e banuara.
Kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, ka kërkuar ndihmë të menjëhershme nga institucionet shtetërore për menaxhimin e situatës.
Jashtë territorit të Uzinës Mekanike në bashkinë Poliçan, vatra e zjarrit vijon të digjet në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.
Në terren ndodhen forcat e MZSH të bashkive Poliçan, Berat dhe Skrapar me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve, megjithatë përballen me vështirësi për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit.





