(Foto nga vendngjarja)
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një fabrikë të riciklimit të materialeve plastike, ku po digjeshin edhe mbetjet e riciklueshme.
Ngjarja është regjistruar mesditën e kësaj të marte rreth orës 14:30 në Xhafzotaj të Durrësit, ku në afërsi të fabrikës që u pushtua nga flakët, ndodhet dhe një magazinë që shërben për përpunimin e lëndëve drusore.
Forca të shumta zjarrfikëse të qytetit, plazhit dhe të portit ndodhen në vendngjarje dhe po luftojnë për të vënë flakët nën kontroll, në mënyrë që zjarri të mos depërtojë dhe në magazinën e peletit.
Paraprakisht është bërë me dije nga autoritetet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike. Fare pranë këtyre godinave, ndodhen shtyllat elektrike dhe është parë që aty ka ndodhur një shkëndijë.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
Ndërkohë që po vijon puna nga ana e zjarrfikësve për neutralizimin e flakëve, policia që ndodhet në vendngjarje po heton për zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.