FILIPINE – Të paktën shtatë persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë mbetën të pastrehë si pasojë e dy zjarreve të mëdha që ranë ditën e martë në lagjet e varfëra në Manila të Filipineve.

Gjashtë trupa u gjetën në vendin e shpërthimit të zjarrit në një ndërtesë me shumë apartamente në veri të qytetit. Sipas të dhënave paraprake, shkak për këtë tragjedi u bë zjarrvënia e qëllimshme. Me sa duket, edhe kasollet në lagjen fqinje janë djegur gjithashtu qëllimisht.

Në vendin e ngjarjes banorët lokalë u përleshën me zjarrfikësit, duke i akuzuar ata për mosdhënien e ndihmës në kohën e duhur. Personi, i cili gabimisht u dyshua si zjarrvënësi, u rrah për vdekje nga turma. U dogjën gjithsej rreth 2000 kasolle, në të cilat jetonin afërsisht 8 mijë njerëz.