7 maj 2015 – Aeroporti i Fiumicino-s në Itali është përfshirë nga flakët gjatë mesnatës, rreth orës 01:00 të 7 majit.

Nga ngjarja mësohet se nuk ka viktima, por vetëm dëme materiale. Ndërkohë, u asfiksuan vetëm tre persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas medieve italiane, paraprakisht dyshohet se shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike në Terminalin Nr.3, por nuk përjashtohen dhe shkaqet e tjera, të cilat priten të zbardhen në vazhdim. 

Për rrjedhojë të këtij incidenti, udhëtimet me avion të linjës Tiranë-Romë dhe anasjellas u anuluan. Deri më tani janë anuluar dy udhëtime të parashikuara për t’u nisur nga Tirana në orën 11:40, dhe i dyti në 11:45. Gjithashtu janë anuluar fluturimet e dy avionëve që pritej të mbërrinin nga Roma në aeroportin e Rinasit në orën 10:50 dhe në 11:05.

Autoritetet italiane kanë deklaruar se aeroporti do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri në orën 14:00, ndërkohë që kthimi në normalitet pritet të kërkojë disa ditë.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/