1 shkurt 2014 – Burgu i Rrogozhinës është përfshirë nga flakët e zjarrit, mbremjen e djeshme. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 në institucionin e vuajtjes së dënimit, ku flakët kanë përfshirë ambientet e brendshme të burgut. Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe brenda pak minutash kanë vënë situatën nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Burime nga policia bëjnë të ditur se si pasojë e tymit të burgosurit kanë shfaqur probleme në frymëmarrje, ndërsa dy prej tyre janë nisur drejt spitalit në gjendje asfiksie. Nga zjarri i djeshëm u asfiksuan 21 të burgosur dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Njëri prej të dënuarve ndodhet në spitalin e Durrësit në reanimacion ndërsa një tjetër i dënuar ndodhet në Tiranë pasi ka pësuar djegie të shkallës së tretë. Të dënuarit e tjerë që kanë shfaqur probleme për shkak të tymit ndodhen në spitalin Kavajës.
Në spitalin e Durrësit kanë shkuar për të parë të dënuarin e plagosur edhe ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Burgjeve. Kontrolli mjekësor i të dënuarve po bëhet nën masa të rrepta sigurie për të shmangur ndonjë arratisje të mundshme.Sipas të dhënave të fundit zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një cigare e ndezur e harruar në dyshekun e njërës prej qelive nga një i dënuar. Më pas flakët kanë përfshirë edhe qelinë ngjitur .
Rreth 100 të paraburgosur që gjendeshin në burgun e Rrogozhinës janë transferuar ditën e sotme në burgun Peqinit pas zjarrit që ra mbrëmjen e djeshme. Burime nga policia bëjnë me dije se dy vatrat e zjarrit që ranë një natë më parë në burgun e Rrogozhinës janë shuar dhe ky institucion është kthyer në normalitet.





