DURRËS, 1 korrik 2013 – Forcat zjarrfikëse të PMNZSH-së së Durrësit të dielën, 30 qershor 2013, në mesditë, kanë shuar flakët e një zjarri, pranë kodër Vilës, jo shumë larg nga qendra e qytetit bregdetar.
Ngjarja ka ndodhur pranë disa godinave banimi, në zonën e njohur si ish-parku “Rinia”, sikurse shihet në foton e realizuar nga kolegu ynë Gëzim Kabashi.
Flakët u përhapën shpejt, duke rrezikuar edhe një pjesë të pishave që kanë mbetur ende në këtë zonë, – thanë dëshmitarë në vendngjarje.
Ndërhyrja e shpejtë e banorëve si dhe mbërritja në kohë e mjeteve dhe forcave zjarrfikëse ka mundësuar shuarjen e zjarrit, ndërsa vazhdon puna për të mësuar shkaqet e ngjarjes.
Ndërtimet e shumta me leje dhe pa leje rrezikohen ashtu si dhe pishat nga zjarret e mundshme, qoftë për shkak të temperaturave të larta të verës, qoftë dhe nga veprimtaria njerëzore e banorëve të kodër vilës.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





