5 nëntor 2015 – Kreu i PD-së Lulzim Basha, raportoi mëngjesin e sotëm për një zjarr të rënë në Laboratorin Shkencor të Policisë.
Përmes Facebook-ut, duke iu referuar burimeve të policisë, Basha tha se zjarri është i qëllimshëm dhe ka pasur objektiv shkatërrimin e provave në lidhje me drogën e konfiskuar në disa operacione të fundit.
“Zjarr në Laboratorin Shkencor të Policisë! Raportohet nga oficerë të policisë se zjarri është i qëllimshëm dhe ka pasur objektiv shkatërrimin e provave në lidhje me drogën e konfiskuar në disa operacione të fundit. Po bëhen përpjekje për ta fshehur këtë akt kriminal”, shkruan Basha.
Menjëherë pas denoncimit të kreut të opozitës, reagoi policia duke e konfirmuar zjarrin, por sipas bluve, zjarri ka rënë në një nga shesh-pushimet në katin e dytë të godinës dhe nuk ka prekur asnjë prej sallave të laboratorit.
“Rreth orës 02:15 në një nga shesh-pushimet në katin e dytë të godinës së laboratorit kriminalistik, njëri prej neoneve të ndriçimit ka bërë masë elektrike ku për pasojë janë djegur telat që furnizojnë ndriçimin e shesh-pushimit.
Dhe përveç djegies së neonit dhe telave nuk ka asnjë dëmtim tjetër. Asnjë prej sallave të laboratorit nuk është prekur nga zjarri”.
/S.L. portali DurresLajm/