Një banesë në katin e dytë të një pallati në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës është përfshirë nga flakët pasditen e sotme.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë, duke përdorur shkallët për të hyrë nga ballkoni, aty ku ndodhej edhe vatra e zjarrit. Falë reagimit të shpejtë, flakët janë neutralizuar brenda pak minutash, duke shmangur përhapjen në pjesë të tjera të banesës.
Fatmirësisht, nuk janë raportuar persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara. Policia dhe shërbimet zjarrfikëse po punojnë për të përcaktuar shkaqet që çuan në rënien e zjarrit.





