Të paktën tre persona u vranë dhe katër të tjerë u plagosën, përfshirë dy fëmijë, në një zjarr që shpërtheu në një ndërtesë vonë natën e së martës në qytetin verior spanjoll Miranda de Ebro, thanë të martën shërbimet spanjolle të shpëtimit.
“Shtatë persona u trajtuan në vendngjarje, dy vdiqën atje dhe pesë u dërguan (në spital), por njëri prej tyre më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra”, thanë shërbimet e emergjencës në një deklaratë.
Midis të plagosurve janë një djalë 11-vjeçar dhe një vajzë 7-vjeçare, thanë ata.
Zjarri, shkaqet e të cilit mbeten të paqarta, shpërtheu në një ndërtesë në Miranda de Ebro, një qytet me më shumë se 35,000 banorë që ndodhet në provincën e Burgos, rreth 60 kilometra nga Bilbao.
Autoritetet komunale njoftuan se kishin shpallur tre ditë zie në qytet.

Presidenti i rajonit të Castile dhe León, Alfonso Fernández Manihueco, tha se ishte “i shkatërruar”, duke shprehur: “Ngushëllimet e mia të sinqerta dhe gjithë dashurinë time për familjet e viktimave, si dhe urimet e mia për shërim të shpejtë të plagosurve”. Në mesin e shkurtit, 5 të rinj, të moshës 14 deri në 18 vjeç, vdiqën në një zjarr në një ndërtesë pranë Barcelonës, në verilindje të Spanjës.





