Tetë persona vdiqën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali Covid në Gaziantep, Turqi. Kjo u konfirmua nga guvernatori i provincës.
Zjarri dyshohet se u shkaktua nga shpërthimi i një aparati respirator. 11 pacientët e tjerë në repart u transferuan në spitalet aty pranë. Shpërthimi ndodhi në spitalin e Universitetit Sanko, sipas agjencive turke të lajmeve.
Zjarrfikësit dhe policia shkuan në vendngjarje dhe u hap një hetim.
Viktimat, pacientë në spital, ishin midis 56 dhe 85 vjeç.
Repartet e terapisë intensive në spitalet Covid në Turqi janë nën presion, me 74% të vendeve të ezauruara për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në vend, janë regjistruar 1 982 090 raste me Covid-19 dhe 17 610 vdekje.