Bota humbi një sipërfaqe rekord të pyjeve tropikale në vitin 2024, me Brazilin si vendin më të prekur, në një vit të shënuar nga moti ekstrem dhe zjarre katastrofike.

Të dhënat nga Laboratori GLAD i Universitetit të Merilendit, të publikuara në platformën Global Forest Watch, tregojnë se vetëm pyjet primare tropikale u reduktuan me 6.7 milionë hektarë – pothuajse sa sipërfaqja e Panamasë, ose e barabartë me 18 fusha futbolli të humbura çdo 18 minuta.

Për herë të parë që kur janë mbledhur të dhëna të tilla, zjarret, dhe jo bujqësia, u identifikuan si shkaku kryesor i kësaj humbjeje, duke djegur pesë herë më shumë pyje sesa në vitin 2023.

Zjarret në Amazonë dhe rajone të tjera tropikale emetuan 4.1 gigatonë gazra serrë – katërfishin e emetimeve nga të gjitha fluturimet komerciale të vitit të kaluar.

Brazili, që këtë vit pret konferencën ndërkombëtare për klimën COP30, humbi 42% të gjithë pyjeve primare tropikale, më shumë se çdo vend tjetër.

Sipas Mariana Oliveira nga WRI Brasil, “pa investime të qëndrueshme dhe një zbatim më të fortë të ligjit, fitimet e arritura deri tani janë në rrezik të humbasin”. Thatësira më e rëndë e regjistruar ndonjëherë në vend u përmend si faktori kryesor që nxit zjarret.

Bolivia u rendit e dyta në botë për humbje të pyjeve, me një rritje prej 200% dhe një total prej 1.5 milionë hektarësh të djegur – duke lënë pas edhe Republikën Demokratike të Kongos.

Edhe kjo e fundit përjetoi një rritje dramatike prej 150% në humbjen e pyjeve primare, me 45% të dëmit të shkaktuar nga zjarret.

Në Kolumbi, faktorët politikë dhe ekonomikë si minierat e paligjshme dhe kultivimi i kokës ishin faktorët dominues.

Humbja e pyjeve nuk u kufizua vetëm në tropikë. Në rajonet boreale të Kanadasë dhe Rusisë, zjarret përkeqësuan humbjen e mbulesës pyjore me një rritje prej 5% në shkallë globale, duke arritur në një total prej 30 milionë hektarësh – sa sipërfaqja e Italisë.

Por raporti përmban edhe disa lajme pozitive. Në Indonezi dhe Malajzi, humbja e pyjeve ra me përkatësisht 11% dhe 13%. Në Indonezi, suksesi iu atribua masave për rikthimin e tokës dhe frenimin e zjarreve nën administratën e ish-presidentit Widodo.

Përkundër zotimeve të mëparshme globale – përfshirë Deklaratën e Glasgout për ndalimin e shpyllëzimit deri në vitin 2030 – raporti paralajmëron se bota është larg përmbushjes së këtij angazhimi.

Në 17 nga 20 vendet me më shumë pyje primare, humbjet janë më të mëdha sot sesa në momentin kur u nënshkrua marrëveshja.

“Ky nivel i humbjes së pyjeve është ndryshe nga çdo gjë që kemi parë në më shumë se 20 vjet,” deklaroi Elizabeth Goldman nga Global Forest Watch.

Ndërsa Kelly Levin nga Fondi i Tokës Bezos e quajti situatën “një thirrje për zgjim”, që duhet të ngrejë alarmin për liderët globalë.

Në prag të COP30, Brazili dhe pjesa tjetër e botës përballen me një sfidë urgjente: të kalojnë nga premtimet në veprime konkrete për të mbrojtur pyjet dhe klimën globale.