Zyrtarisht shkon në dy numri i shqiptarëve që humbën jetën nga zjarret masive në Athinë. Ambasada shqiptare në Athinë konfirmon se viktima e dytë është Viktor Ceko 59 vjeç nga Narta e Vlorës. Ai ndërroi jetë sot në spitalin e Athinës, pasi nuk mundi të mbijetonte nga plagët që mori nga zjarri që pushtoi periferinë e kryeqytetit grek për tre ditë nga e hëna deri të mërkurën e kësaj jave.

Viktima e parë ishte Nica Leka, rreth 85 vjeçe, me origjinë nga Leshnica e Sarandës. Ajo vdiq në banesën e saj, në vendin e quajtur Mati. Nica u gjet e shkrumbuar në banesën e saj. Ajo ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1945. Ndërkohë që sipas të dhënave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, dyshohet se ka humbur jetën edhe një tjetër shqiptar, por që nuk konfirmohet zyrtarisht.

Deri tani zyrtarisht janë vetëm 2 viktima dhe mbi 13 të plagosur shqiptarë. Ndërsa në total nga zjarret në Athinë kanë humbur jetën 85 persona, ndërsa mbi 200 janë të plagosur dhe shumë të tjerë janë të zhdukur. Autoritetet greke vijojnë kërkimet për të zhdukurit dhe identifikimin e viktimave.