Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me zjarrin masiv që ka përfshirë fshatin Kullollas në Gramsh.

Policia thotë se ka qenë një 80-vjeçar ai që ka ndezur një zjarr në kopshtin e banesës së tij ndërsa më pas, flakët kanë dalë nga kontrolli, duke shkaktuar situatën emergjente që po përjeton zona.

Sipas Policisë, i moshuari ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksimit, duke u bërë viktima e parë nga zjarret e këtij viti në Shqipëri.

Tymi ka mbuluar të gjithë zonën, deri në afërsi të Cërrikut, ndërsa katër fshatra — Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër — janë përfshirë nga flakët dhe kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Njoftimi i policisë

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur masivisht në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, Zjarrfikëses dhe Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit dhe për evakuimin e banorëve në fshatrat e prekur nga flakët.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftim.