Autoritetet greke njoftojnë se bilanci i viktimave të shkaktuara nga zjarret masive të ditëve të fundit në Greqi është rritur në 79 të vdekur.

Zëdhënësi i zjarrfikësve Stavroula Malliri tha të mërkurën se ekipet e kërkim shpëtimit po vazhdonin operacionet e tyre në verilindje të Athinës, ku janë edhe rajonet më të prekura nga zjarret. Ai tha se ekipet po kërkonin shtëpi më shtëpi dhe çdo makinë dhe bregdetin e shkrumbuar për të lokalizuar të tjera viktima të mundshme.

Malliri tha se autoritetet kishin marrë dhjetëra telefonata për persona të zhdukur, duke shtuar se disa prej tyre mund të jenë në mesin e atyre që tashmë janë raportuar të vdekur, ose edhe mund të jenë rikthyer te familjet e tyre pa informuar autoritetet.

Kjo bën që autoritetet të mos kenë një numër ekzakt të personave të humbur. Por ndërkohë shumë familjarë të shqetësuar kanë nisur apelet për ndihmë në rrjetet sociale dhe televizionet greke që të mund të marrin informacion për njerëzit e tyre të dashur.