Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se të 5 vatrat e zjarrit në zona të ndryshme të vendit janë shuar.
Ai shton se pavarësisht temperaturave të larta, në vend aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive.
Postimi i Peleshit:
Të pesë vatrat e zjarrit që ditën e sotme përfshinë zona të ndryshme të vendit janë shuar falë ndërhyrjes dhe përkushtimit të punonjësve të pushtetit lokal dhe qendror.
Pavarësisht temperaturave të larta, aktualisht nuk kemi asnjë vatër aktive në vend, një situatë e pakrahasueshme me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që gjithë strukturat e mbrojtjes civile në nivel vendor dhe qendror mbeten në gatishmëri. #24/7
Ky reagim i Peleshit vjen pas alarmit të ngritur nga Presidenti Ilir Meta, i cili shkruan se në zonën e Krastës së Krujës po shkrumbohen mbi 10 hektar pyje dhe nga informacionet paraprake rezulton se vetëm dy zjarrfikëse janë në operacion për fikjen zjarrit, që po përhapet me shpejtësi për shkak të erës që ka filluar në orët e pasdites.
Meta i bëri thirrje Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencisë për Mbrojtjen Civile dhe institucioneve të tjera përgjegjëse qendrore dhe vendore të marrin të gjitha masat e duhura efektive për të ndaluar përhapjen e zjarreve, fikjen e tyre dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme.
Postimi i Metës:
Me shqetësim jam njohur me situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore.
Në zonën e Krastës së Krujës po shkrumbohen mbi 10 hektar pyje dhe nga informacionet paraprake rezulton se vetëm dy zjarrfikëse janë në operacion për fikjen zjarrit, që po përhapet me shpejtësi për shkak të erës që ka filluar në orët e pasdites.
Vatra zjarri me përmasa të mëdha ka dhe në rajonin e Lezhës, në zonën e Torrovicës dhe Mal-Kolaj.
Ndërkohë në të gjithë territorin e vendit kanë filluar vatra zjarri që pritet të marrin përmasa serioze për shkak të erës.
I bëj thirrje Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencisë për Mbrojtjen Civile dhe institucioneve të tjera përgjegjëse qendrore dhe vendore të marrin të gjitha masat e duhura efektive për të ndaluar përhapjen e zjarreve, fikjen e tyre dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme.
Me shumë rëndësi është gjithashtu vlerësimi i parashkimeve të hershme të IGJEUM, si dhe shtimi i numrit të vrojtuesve në zonat me risk të lartë, sidomos në Zonat e Mbrojtura.