Policia e Shtetit është angazhuar për të luftuar kundër zjarreve në territorin e vendit.
Gjatë 48 orëve të fundit, u evidentuan 33 vatra zjarri në të gjithë vendin dhe për 32 prej tyre u iniciua procedimi penal.
79 specialistë për hetimin e krimit dhe ekspertë kriminalistë, u angazhuan për të kyrer veprimet hetimore për procedimet penale të filluara për rastet e zjarrvënieve.
Në të gjithë vendin, u identifikuan 28 autorë të dyshuar të zjarrvënieve, nga të cilët 11 u arrestuan në flagrancë, 16 u proceduan në gjendje të lirë, ndërsa 1 u shpall në kërkim.
440 punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, u angazhuan maksimalisht në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse dhe të emergjencave civile, për të parandaluar përhapjen e zjarreve.
Shërbimet e Policisë, në shumë raste bënë evakuimin e banorëve, duke qenë se banesat dhe lokalet rrezikoheshin të përfshiheshin nga flakët.
92 automjete policie ishin në dispozicion të shërbimeve policore, 30 prej tyre automjete të Policisë Rrugore, për të menaxhuar trafikun rrugor në rrugët në afërsi të vatrave të zjarrit.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht.
Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.