Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton se mbrëmë pas mesnate është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile për situatën e krijuar nga zjarret në vend.

Në një postim në Facebook, Peleshi shkruan se situata e zjarreve mbetet shumë serioze në Karaburun dhe nga sot, do të rritet numri i kapaciteteve njerëzore dhe tre helikopterë do të jenë në dispozicion për shuarjen e flakëve në këtë zonë.

“Nga mbledhja e Komitetit të Mbrojtjes Civile për situatën e krijuar nga zjarret. Situata në Karaburun mbetet serioze. Nga nesër do të shtojmë kapacitetet njerëzore, ndërsa 3 helikopterë do të jenë në dispozicion për shuarjen e flakëve në këtë zonë, në mënyrë që të mos preket Parku i Llogarasë. Mirënjohje për çdo efektiv të FA dhe punonjës të strukturave vendore që po luftojnë me flakët në këto ditë me temperatura të pazakonta për të gjithë rajonin.”