ERSEKE – Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Ersekës.

Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetasi Fatos Kapllani ka ekzekutuar me armë zjarri, tip automatik, të dashurën e tij Nertila Petriti dhe më pas është vetëvrarë. 

Ngjarja ka ndodhur në banesën e 32-vjeçares Petriti, në praninë e nënës së gruas, e cila mësohet se ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë të mitur. 

Sipas dëshmisë së nënës së 32-vjeçares, Fatos Kapllani kishte shkuar në banesën e tyre për të festuar Shën Valentinin me Nertilën, e cila i shmangej prej kohësh. Sipas saj, Kapllani kishte marrë me vete një automatik dhe kishte qëlluar në drejtim të 32-vjeçares kur kjo e fundit kishte refuzuar të kryente marrëdhënie seksuale me të. 

Burime nga policia bëjnë të ditur se autori i ngjarjes, me profesion punonjës i zjarrfikëses kishte një lidhje jashtëmartesore me 32-vjeçaren prej kohësh. Ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. 

Sipas policisë, dyshohet se Kapllani ka kryer krimin e pasi nuk mund të pranonte faktin që 32-vjeçarja i shmangej dhe mendonte se ajo mund të kishte një tjetër lidhje. 

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes tragjike.