Zjarrfikësit e Durrësit janë kthyer kokëulur e të dëshpëruar nga ceremonia e Ministrisë së Brendshme për të vlerësuar punën e efektivëve që shërbyen me devotshmëri në operacionet e kërkim-shpërtimit të njerëzve që mbetën nën rrënoja pasi me dhjetëra objekte u shembën në Durrës mëngjesin e 26 nëntorit.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ju dha një shuplakë fytyre pesë zjarrfikësve të Durrësit që ishin ulur në karriget e sallës së bashku me kolegë të tyre nga qytete të tjera të vendit.
Ata nuk morën as një falenderim prej ministrit për punën e tyre e cila akoma nuk është mbyllur pasi ende qëndrojnë në gadishmëri prej 26 nëntorit.
Në Durrës, deri sa dolën nga rrënojat të vdekurit e të gjallët e tërmetit, në ndihmë ju erdhën edhe kolegë nga rrethet, të cilët u vlerësuan në ceremoni me medalje të akorduara.
Ndërsa zjarrfikësit e Durrësit që në çastet kritike të asaj dite braktisën familjet e tyre, të vegjlit e traumatizuar, prindërit e moshuar, apo edhe bashkëshortet që duhet të bëheshin nënë e baba për fëmijët.
Durrësi nuk u përmend, sikur të mos ekzistonte ndërsa dëshmi janë shtëpitë e prishura e të pabanueshme.
“Zjarrfikësit e Durrësit nuk kanë as mjete, na kanë lënë në mëshirë të fatit, por kjo nuk na pengoi që në alarmin e dhënë të ishim në krye të detyrës, duke braktisur fëmijët, gratë e prindërit që na mbetën rrugëve“, thanë zjarrfikësit për “DurrësLajm”.
Gjatë ceremonisë u nderuan me medalje zjarrfikës nga Kavaja, Vau i Dejës e Vlora, ndërsa ata të Durrësit as nuk u falenderuan.
Ministri i Brendshëm nderoi vartësit e tij dhe mirë bëri, se ata vërtet ishin në krye të detyrës, por harroi që të falënderonte edhe ata të Kosovës, të cilët erdhën të parët, duke punuar e shpëtuar jetë, por njëkohësisht duke i treguar Shqipërisë se vëllezërit kosovarë i thirri gjaku në ditë të vështira.
Pak orë pas tërmetitm Forcat e Sigurisë së Kosovës ishin në vendin tonë, ku kishte plakosur dhimbja e dëshpërimi duke shtuar dritë shprese te njerëzit poshtë e lart rrënojave me punën e tyre profesionale.
E pikërisht për këto falënderime e për këtë mungesë mirënjohjjee nga Ministria e Brendshme komentuesit e masakrojnë ministrin e këtë radhë, kanë pse ta bëjnë.
Dekorohen:
- Ardi Veliu – Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
- Tonin Vocaj – Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale
- Gjovalin Loka – Drejtor i Departamentit të Rendit e Sigurisë Publike
- Sokol Bizhga – Drejtor i FLO-së
“MEDALJA E NDERIT” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, punonjësve të shërbimeve mbështetëse, si dhe punonjësve të huaj të Policisë, të atashuar në vendin tonë, të cilët shquhen për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike, në ruajtjen dhe administrimin e pronës dhe në ushtrimin e përgjegjësive të tjera të parashikuara nga ligji për Policinë e Shtetit, si dhe në mbështetjen e Policisë së Shtetit.
- Lorenc Shehu – Drejtor i DVP Durrës
- Artur Hehaj – Shef i Komisariatit Krujë
Medalja “PËR TRIMËRI” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët tregojnë cilësi të veçanta, kurajë e guxim në realizimin e detyrave, misioneve dhe zgjidhjen e situatave të jashtëzakonshme.
- Artur Duli – Punonjës i FNSH-së
- Klodian Hysi – Punonjës i RENEA-s
- Luan Kapaj – Zjarrfikës i MNZSH-së, Vlorë
- Endri Kraishta – Shef i MNZSH-së, Kavajë
- Gjovalin Zefi – Zjarrfikës i MNZSH-së, Vau i Dejës
Medalja “PËR SHPËTIM JETE” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kryejnë akte ose veprime heroike në një konflikt, operacion a situatë të jashtëzakonshme për shpëtimin e jetës së personaliteteve, kolegëve, duke vënë në rrezik jetën e tyr
“Të mbuluar nga pluhuri i gërmadhave ishte e vështirë të njiheshin Ardi Veliu, Tonin Vocaj, Lorenc Shehu, Sokol Bizhga, Klodian Hysa, Gjovalin Loka, Artur Duli, Gjovalin Zefi, Artur Hebaj, Endri Kraisha, Luan Kapaj apo edhe Genti, një djalë i thjeshtë shqiptar me banim në Britaninë e Madhe, që anuloi biletën për t’u kthyer atje dhe erdhi e u fut në zemër të operacionit të kërkim shpëtimit, ashtu thjesht dhe vetëm pse ndjeu një thirrje të brendshme për ta bërë këtë gjë. Në respekt të këtij angazhimi të madh, kam vendosur të nderoj me medalje disa pjesëtarë të operacioneve të kërkim shpëtimit. Në pamundësi për të dhënë medalje për mijëra punonjës policie apo zjarrfikës, jam kufizuar në mënyrë krejt simbolike një numër shumë shumë të vogël prej tyre, për të cilët jam i bindur se këtë vlerësim do ta pranojnë jo thjesht për vete, por në emër të të gjithë kolegëve të tyre, që pa asnjë dallim ishin njësoj. Heronj të vërtetë që shpëtuan shumë jetë njerëzore”, shkruante dje Lleshaj në Facebook.
K.H.





