Një nga banoret ka treguar mes lotësh se lajmin e ka marrë vesh nga fqinja e saj, pasi ka qenë në punë.
Ajo thotë se kjo situatë e ka vendosur shumë në vështirësi pasi ka 3 fëmijë të vegjël.
“Nga ora 07:20 kam dalë dhe kam ikur tek puna, tek rrobaqepësja. Kam lënë 3 fëmijët brenda. Pasi kanë mbaruar shkollën, fëmijët kanë shkuar direkt tek tezja e tyre, motra ime. Vetëm kur më ka marrë komshija në telefon dhe më ka thënë që të “është djegur shtëpia”. Kur kam ardhur, kam parë vetëm flakët, asgjë tjetër. Ka qenë ora 6 e gjysëm- 7. Fëmijët kanë qenë tek tezja e tyre. Nuk e di fare se nga ka ardhur zjarri, vetëm thjeshtë më kanë thanë që më është djegur shtëpia. Mbrëmë kemi qëndruar tek motra ime. Kërkoj të strehoj fëmijët në ndonjë shtëpi. Shumë të vështirë e kam jetesën tani me 3 kalamaj të vegjël”, thotë banorja.
Këto banesa private kanë qenë të gjitha pranë njëra-tjetrës me çati të përbashkët. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka asnjë person të lënduar pasi policia evakuoi në kohë të gjithë banorët.
Policia po heton për shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa dyshimet paraprake janë se flakët kanë ardhur si pasojë e shkëndijës elektrike tek njëra nga banesat.