Pronari dhe menaxheri 49-vjeçar francez i barit Le Constellation në Crans-Montana, Zhak Moreti, theu heshtjen për herë të parë pas tragjedisë së ndodhur natën e Vitit të Ri, ku të paktën 40 persona ndërruan jetë prej zjarrit në lokal, ndërsa 119 të tjerë mbetën të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.

Ai deklaroi se si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare, Xhesika, ndodhen në gjendje shoku, ndërsa theksoi se lokali ishte kontrolluar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Në një prononcim për gazetën zvicerane “20 Minuten”, Moreti u shpreh: “Nuk mund të flemë dhe as të hamë. Jemi të gjithë në një gjendje shumë të keqe”.

Zhak dhe Xhesika Moreti, shtetas francezë me origjinë nga Korsika, morën në administrim Le Constellation në vitin 2015. Një mik i çiftit konfirmoi për disa media se të dy janë gjallë, duke përgënjeshtruar thashethemet që qarkulluan në orët e para pas ngjarjes.

Sipas informacioneve, natën e zjarrit Xhesika Moreti ndodhej brenda lokalit dhe u plagos, duke pësuar djegie në dorë. Ndërkohë, Zhak Moreti nuk ndodhej aty, pasi ishte në një tjetër biznes të çiftit në zonë.

Moreti bëri të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë.

“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndihmuar hetimet. Në këtë proces janë përfshirë edhe avokatët tanë”, deklaroi ai.

WhatsApp Image 2026-01-03 at 07.27.27

Autoritetet zvicerane theksojnë se vlen parimi i prezumimit të pafajësisë. Prokuroria e kantonit Valais ka nisur një hetim penal për rrethanat e zjarrit, ndërsa administratorët e lokalit kanë dhënë tashmë dëshminë e tyre. Ende nuk është bërë e ditur nëse do të ngrihen akuza konkrete, por po shqyrtohet mundësia e hetimit për zjarrvënie dhe vrasje nga pakujdesia.

Nga ana tjetër, gazeta Le Nouvelliste raporton se Zhak Moreti kishte marrë personalisht përsipër një pjesë të konsiderueshme të punimeve të rikonstruksionit të lokalit. “I kam bërë pothuajse të gjitha vetë”, citohet të ketë deklaruar ai më herët.

Moreti përsëriti se Le Constellation ishte kontrolluar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe se gjithçka ishte realizuar sipas rregullave. Megjithatë, nëse këto kontrolle lidhen drejtpërdrejt me sigurinë nga zjarri, mbetet për t’u përcaktuar nga hetimi i prokurorisë.

Çifti Moreti zotëron edhe biznese të tjera në zonë, përfshirë një restorant në fshatin fqinj Lens dhe një fast-food në Crans-Montana.

Si ndodhi tragjedia?

Hetuesit po përpiqen të zbardhin se si dhe pse zjarri vdekjeprurës që shpërtheu natën e ndërrimit të viteve në Crans-Montana u përhap me një shpejtësi kaq të madhe, duke shkaktuar një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër.

Autoritetet zvicerane deklaruan të premten se fishekzjarrë që shpërthyen mbi shishe shampanje ishin shkaku fillestar i zjarrit. Megjithatë, mënyra se si flakët u përhapën me një intensitet ekstrem, duke lënë të paktën 40 viktima dhe 119 të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, mbetet një nga çështjet kryesore të hetimit, së bashku me historikun e sigurisë së barit Le Constellation.

Sipas BBC-së, ekspertë të sigurisë nga zjarri kanë analizuar video dhe fotografi të realizuara nga të mbijetuarit, në përpjekje për të identifikuar gabimet që çuan në tragjedi.