Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi thotë se ka prova për zjarrin në zyrën e prokurimeve në Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Bardhit këto prova do publikohen nesër dhe kërkon që ministrja Manastirliu të hetohet jo vetëm për vjedhjen me tenderat sekretë por edhe për gënjeshtrën me zjarrin.
STATUSI I PLOTË
Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie.
Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.
Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu.
Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë!





