Shtatë persona humbën jetën, duke përfshirë tre fëmijë mes flakëve që përfshinë një bllok banimi në orët e para të ditës së sotme në qytetin jugor francez të Nisës.

Prokurori lokal tha se zyrtarët po hetojnë mbi mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme.

“Njësia e zjarrfikësve u lajmërua në orën 2:28 të mëngjesit dhe brenda vetëm 10 minutash ishte në vendngjarje, por pavarësisht këtij reagimi të shpejtë, kemi një bilanc tragjik prej shtatë personash të vdekur: tre të rritur, një adoleshent dhe tre fëmijë. 6 prej tyre ndërruan jetë në banesë, ndërsa një tjetër vdiq pasi u hodh nga dritarja.

Kemi gjithashtu një person të lënduar rëndë. Unë kam hapur një hetim për zjarrvënie që rezultoi me vdekje dhe e kam referuar rastin në polici dhe në laboratorin e mjekësisë ligjore të Marsejës. Presim që të vijnë në vendngjarje për të bërë disa vëzhgime. Mendoj se do të bëhet një punë e madhe teknike dhe mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.”

Flakët përfshinë fillimisht katet e sipërme të godinës së ndodhur në Moulins të Nisës, pranë aeroportit. Sipas mediave lokale, shtatë viktimat janë që të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje. Fëmijët që vdiqën ishin të moshave pesë, shtatë dhe 10 vjeç. 30 persona të tjerë kanë pësuar intoksikim nga tymi.

Kryebashkiaku Christian Estrosi tha se ka kërkuar nga ministri i brendshëm të dërgojë forca shtesë të rendit në zonë, në mënyrë që të garantohet siguria e banorëve dhe të shmangen incidente të tjera pas kësaj tragjedie, nisur nga fakti që ajo po hetohet si zjarrvënie e mundshme.