Energji, motivim dhe gola, shumë gola: po flasim për Zlatan Ibrahimoviç, arkitekti i rilindjes së Milanit. Ai gjithmonë dëshiron më të mirën dhe po e merr. Qëllimi është Scudetto dhe Ibra udhëton me Ferrari…

Po, ky Milan është një supermakinë. Pesëqind herë Ibrahimoviç. Me golin e realizuar kundër Krotones, sulmuesi arrin dhe kapërcen kufirin e 500 golave në karrierë në nivel klubesh duke përfshirë të gjitha kompeticionet.

Një rrugëtim i nisur 22 vjet më parë kur në sezonin 1999- 2000 debutonte në kampionatin suedez me fanellën e qytetit të lindjes, Malmoe. 18 gola në atdhe do të ndiqen nga tre vite me fanellën e Ajaksit duke shënuar 48 herë përpara se të zgjidhte Juventusin ku do të festonte 26 herë në dy sezone.

“Calciopoli” dhe rënia e bardhezinjve në Serinë B, e detyroi Ibrën të kalonte te Interi ku në tre sezone koleksionoi 66 gola. Një vit krah Mesit i vlejti për 22 realizime, përpara se të rikthehej në Itali ku me Milanin do të gjente rrugën e rrjetës 56 herë në 81 sfida.

Rikthimi te kuqezinjtë 13 muaj më parë i ka vlejtur për të përditësuar statistikat e tij me “Djallin” duke arritur në kuotën e 82 golave. Aventura me Mançester Junajtidin dhe Galaksin i vlejtën respektivisht për 29 dhe 53 gola, ndërkohë që kulmin e realizimeve me një klub e ka regjistruar në Francë.

Pikërisht me fanellën e PSG-së, Ibrahimoviçi ka festuar 156 herë. Zlatan Ibrahimoviç është lojtari që së bashku me Kristiano Ronaldon ka realizuar më shumë dopieta në një nga kampionatet madhore të Europës gjatë sezonit ’20-’21.

Nga gjashtë gëzime të dyfishta për këta kampionë pa kohë të cilët udhëheqin edhe renditjen e golashënuesve në Itali.CR7 ka shënuar 15 herë, ndërsa me 14 gola në Serinë A, ai është bomberi i dytë i kampionati, vend që e ndan me Lukakun e Interit.

39-vjeçari shënon, por edhe ndihmon të tjerët. Një asist sezonal nuk është treguesi më i mirë, por prania e tij ka shndërruar në asistues Rafael Leaon. Nga pesë pasime vendimtare të dhëna nga numri 17 kuqezi, tre prej dyte kanë pasur si destinacion kolegun suedez.