7 mars 2014 – Njëra ndër këngëtaret më të suksesshme, Altuna Sejdiu – Tuna, i është përveshur punës që në publik të vijë me dy projekte të reja. Dekorim Sahiti menaxheri i këngëtares ka treguar për Tribuna se Tuna tashmë i ka dhënë vetes ca ditë pushim që të rikuperojë forcat për t’u rikthyer ashtu siç di vetëm ajo…

Këngëtarja shkupjane Tuna, e cila mori epitetin e këngëtares më të suksesshme të vitit 2013, dhe pseudonimin “Zogu” duket se edhe për këtë vit ka plane të mëdha. Menaxheri i këngëtares ka thënë se Tuna tashmë është duke punuar në projekte të radhës.

“Tuna momentalisht është duke punuar rreth projektit të ri. Bëhet fjalë për një bashkëpunim me rep me këngëtarin Getoar Selimin. Është ky një projekt që më herët është përmendur, ndërsa tani veçse po finalizohet”, ka thënë Dekorimi në fillim të bisedës, ndërsa ka treguar se nuk kanë ende një datë se kur kënga do të jetë në treg.

Por kjo nuk është risia e vetme që po përgatit këngëtarja më e kërkuar në vendin tonë. Sipas Sahitit, këngëtarja është duke punuar edhe për një këngë tjetër që do ta këndojë solo.

“Tuna është duke punuar edhe në një këngë tjetër të re e cila do të jetë solo. Dhe ndoshta kjo këngë do të lançohet para bashkëpunimit që ka me Getin. Këto janë dy projektet në të cilat është fokusuar për momentin këngëtarja, pastaj në të ardhmen normal vijnë edhe të rejat e tjera”,- thotë Sahiti..
 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/