Qeveria Rama ka miratuar sot një vendim për zonën për zhvillim në bashkinë Durrës, për atë që këshilli i ministrave e ka cilësuar Parku Arkeologjik i qytetit bregdetar.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, gjatë konferencës për shtyp deklaroi ndër të tjera se do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbatues në këtë zonë, ku qeveria ka përfshirë Amfiteatrin, Muret Rrethuese, Forumin Bizantin dhe termat romake.

“Në kuadër të rindërtimit, KE angazhon 65 milionë euro në shkolla dhe 50 milionë euro në objektet e trashëgimisë kulturore. Në zonën e re të propozuar për zhvillim, ndodhen disa prej monumenteve më të rëndësishme kombëtare, si Amfiteatri i Durrësit, Kalaja, Termat Antik si dhe një sërë monumentesh të kategorisë së parë dhe të dytë”,– tha ndër të tjera ministri Ahmetaj.

Kujtojmë se organizmat evropianë kanë bërë donacione të konsiderueshme për riparimin e dëmeve të pësuara në objektet e trashëgimisë kulturore nga tërmeti i 26 nëntorit. Rreth 100 milionë euro ka akorduar Bashkimi Evropian për këtë qëllim dhe një pjesë e kësaj shume pritet të shkojë për amfiteatrin, që u zbulua për herë të parë në vitin 1966 nga arkeologu Vangjel Toçi, por ende qëndron i pa zbuluar tërësisht. 

Ndërsa vendimi i marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë nuk është zbardhur akoma i plotë, Këshilli i Ministrave pati marrë një vendim të rëndësishëm për këtë zonë në mbledhjen e datës 18 maj, që kishte të bënte me “PËRCAKTIMIN E KUFIJVE TË  PARKUT ARKEOLOGJIK DURRËS”

“Në  mbështetje  të  nenit  100  të  Kushtetutës  dhe të  pikës  1,  të  nenit  212,  të  ligjit  nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore  dhe  muzetë”,  me propozimin   e   ministrit   të   Kulturës,   Këshilli   i Ministrave

VENDOSI:

1.  Përcaktimin  e  kufijve  të  Parkut  Arkeologjik Durrës  sipas  koordinatave  gjeografike,  hartës  së zonifikimit  dhe  shtojcave,  që  i  bashkëlidhen  këtij vendimi.

2. Kufijtë e Parkut Arkeologjik Durrës ndodhen brenda  zonës  arkeologjike  “A”  të  qytetit  të Durrësit,  të  shpallur  me  vendimin  nr. 786,  datë 26.12.2018,  të  Këshillit  të  Ministrave,  “Për miratimin e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit   të   Durrësit   dhe   të   planit   për   ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”, i konceptuar në formë ishujsh.

3. Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë Durrës merr  në  konsideratë  kufijtë  e  zonifikimit  të  Parkut Arkeologjik Durrës.

4.    Rregullat    për    ruajtjen,    mbrojtjen    dhe administrimin e   Parkut  Arkeologjik   Durrës   i  nënshtrohen  legjislacionit  në  fuqi  për  trashëgiminë kulturore.

5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin   Gjeohapësinor   që   të   publikojë hartën   për   përcaktimin   e   kufijve   të   Parkut Arkeologjik Durrës në Gjeoportalin Kombëtar.

6.  Ngarkohen  Ministria  e  Kulturës,  Ministria  e Infrastrukturës  dhe  Energjisë  dhe  Bashkia  Durrës  për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.” – thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i qeverisë shoqërohet me hartat përkatëse të këtyre “ishujve” arkeologjikë ku bie në sy rrethimi i hapësirës ku ngrihen vilat disa katëshe, që parashikohen të shemben për të zbuluar pjesën lindore të amfiteatrit antik të qytetit. Një pjesë e fondit që do të akordohet për këtë zonë në zhvillim, pritet të shkojë për dëmshpërblimin e pronarëve që do të shpronësohen.