Prej muajsh, tregu imobiliar në vendin tonë është në stanjacion për shkak të pezullimit të miratimit të ligjit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Ndërsa agjentët imobiliarë ishin në pritje të muajit shtator, kur kryeministri Edi Rama kishte premtuar se do të fillonte efekti i procesit të rivlerësimit të pronave me 5%, mosshqyrtimi i kësaj çështjeje në komisionet parlamentare ka vënë në alert tregun.
Një ditë më parë, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA), përmes një komunikate për shtyp paralajmëroi kolapsin e sektorit imobiliar për shkak të bllokimit të shitje – blerjeve.
Deri më tani, procedurat kanë mbetur pezull në zyrat noteriale dhe nëse situata nuk do të marrë zgjidhje të shpejtë i gjithë sektori nuk do të dalë nga ngërçi ku është futur.
“DurrësLajm” kontaktoi me Reinaldo PIPIRIA, Drejtor Ekzekutiv i NAREA-s për ta pyetur konkretisht se çfarë impakti mund të japë ky rrezik kolapsi në tregun imobiliar në zonat bregdetare, ku për efekte turizmi shitje-blerjet në tregun imobiliar kanë qenë në numër të konsiderueshëm vitet e fundit.
“Kur flasim për bregdetin këtu kemi efekte të shumëfishta, sepse nëse askush nuk është gati të shesë me 15%, e aq më tepër të blejë po 15% atëherë është kolaps edhe për arsye turizmi, sepse nuk do ketë kush të investojë për kapacitete akomoduese. Blerësit e huaj që vijnë në Shqipëri kanë buxhete të mesme, prandaj i drejtohen një oferte ekonomike nga tregu i ri-shitjes. Dhe kur tregu i ri-shitjes NUK ka ofertë, humb konkurueshmërinë e vet”.
Vitet e fundit, të shumtë janë shtetasit e huaj, kryesisht evropianë, që kanë blerë prona të paluajtshme në qytetet tona bregdetare, të ndikuar nga zhvillimi i sektorit të turizmit dhe promovimi i Shqipërisë si një nga destinacionet turistike më tërheqëse për të huajt nga e gjithë bota.
Sipas NAREA-s, në 9 muajt e parë të 2024, janë arkëtuar më pak se 2% e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin Kapital, duke sjellë një gropë financiare në arkën e shtetit prej 56 milionë euro.
Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë bën thirrje për zhbllokimin e kësaj situate. Qeveria Rama duket se e ka pezulluar miratimin e ligjit për rivlerësimin me argumentin se do të rrisë cmimet e referencës në të gjithe territorin e Shqipërisë, ashtu si bëri në Tiranë. Kjo rrezikon ta shtyjë miratimin e draftit për pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
M.B.





