NGA ARLIND RAMA

Investimet e huaja direkte vijojnë të mbeten një prioritet parësor në strategjinë e zhvillimit afatgjatë të Shqipërisë e në këtë perspektivë, politikat ekonomike të lidhura me investimet rishikohen nga autoritetet në mënyrë të vazhdueshme me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj me interes në potencialin e resurseve të vendit. Përgjatë dy dekadave të fundit, rritja pozitive e vëllimit të stokut të investimeve të huaja direkte përbën një tregues domethënës për hapjen e tregut ndaj investitorëve dhe përcaktuesit ekonomikë atraktivë që paraqet Shqipëria në rrafshin e një konkurrence rajonale. Në terma statistikorë, referuar shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vihet re një rritje domethënëse në kohë e stokut të investimeve të huaja nga 1829.6 milionë euro në 2854.2 milionë përgjatë periudhës 2007-2013, ndërkohë që sektorët kryesorë ku janë përqendruar këto investime kanë qenë transporti e magazinimi, telekomunikacioni, ndërmjetësimi financiar, industria nxjerrëse dhe pasuritë e paluajtshme. Ka vlerë të theksohet se faktorët kryesorë shpjegues pas kësaj rritjeje kanë qenë proceset e koncesioneve dhe privatizimeve në sektorë kyç, kostot e ulëta të forcës së punës, rritja ekonomike pozitive si tregues i dinamikës së ekonomisë, infrastruktura në përmirësim të vazhdueshëm, vendndodhja gjeografike, aftësitë teknike të vlefshme në fushën e teknologjisë së informacionit dhe politikat aktive ekonomike në shërbim të lehtësimit të të bërit biznes. Por, në një kohë kur gara e vendeve të rajonit për të tërhequr sa më shumë IHD është ndezur, konkurrueshmëria më shumë se kurrë duhet të mbështetet në avantazhe reale ekonomike, politika efikase të mirëhartuara dhe mbrojtjen ligjore investitorëve të huaj.

Argumentet e ofruara në konkluzionet e shumë studimeve akademike me fokus ndikimin e politikave në tërheqjen e investimeve të huaja vënë pah nivelin e ulët të taksave dhe ndikimin pozitiv relativ në këtë aspekt. E në këtë valë të argumentit, qeveritë e vendeve të rajonit kanë vendosur incentivat fiskale në themelin e politikave të tyre ekonomike në funksion të tërheqjes së IHD-ve. E sigurisht që në këtë kuadër, Zonat e Lira Ekonomike paraqesin një mjet eficent në portofolin e politikave të një qeverie për nxitjen e zhvillimit ekonomik vendas dhe tërheqjen e investitorëve në kërkim të një mjedisi të favorshëm për të bërë biznes dhe taksave të ulëta. Në këto kushte, disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar Zonat e Lira Ekonomike me qëllim gjenerimin e interesit të investitorëve dhe promovimin e ekonomisë. Serbia dhe Maqedonia kanë bërë përpara në dizenjimin e këtyre “oazeve të biznesit” dhe eksplorimit të tyre në kapacitet të plotë operativ nëpërmjet kontratave afatgjata të nënshkruara me korporata të mëdha ndërkombëtare në këto zona. Rasti i ‘Fiat’ që vendosi të hapte një filial prodhimi në zonën e lirë ekonomike të Kragujevacit në Serbi gjatë 2008 mund të konsiderohet histori suksesi në garën rajonale për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Kontrata u bazua në një marrëveshje të mirëdizenjuar nga autoritetet, të cilat kthyen avantazhin konkurrues në fushën e prodhimit të makinave, kujtojmë këtu traditën e prodhimit të fabrikës ‘Zastava’ që prodhonte makinat “Yugo” në kohën e Jugosllavisë, dhe u pasua nga një subvencion taksash zemërgjerë me qëllim nxitjen e punësimit dhe reduktimin e çmimeve të kësaj marke në tregun vendas. Me një përqindje shtetërore prej 33 për qind, në 2013-n ‘Fiat’ u bë eksportuesi më i madh i ekonomisë serbe me 1.5 miliardë euro.

Kolana e reformave ekonomike që po implementohet nga qeveria në vend ka si pjesë integrale të saj edhe krijimin dhe dizenjimin e zonave të lira ekonomike, të planifikuara dhe miratuara në mars të këtij viti të jenë në zonën bregdetare të Spitallës, në Vlorë dhe Koplik. Ky vendim i ekzekutivit duket të jetë i duhuri në terma të moshumbjes së avantazheve konkurruese në raport me vendet e tjera të rajonit dhe në të njëjtën kohë të promovojë potencialin e paeksploruar ekonomik që Shqipëria ka për t’u ofruar investitorëve të huaj.

Por procesi i dizenjimit dhe krijimit të zonave të lira ekonomike duhet të kalojë nëpër faza të mirëprojektuara e ku në secilën prej tyre menaxhimi me eficencë të lartë duhet të jetë i një rëndësie prioritare me qëllim që të mos shkaktojë barrë të shtuar buxhetore, të shërbejë në zhvillimin ekonomik të zonave dhe ekonomisë si një e tërë, e gjithashtu të minimizojë externalitetet negative që bashkëshoqërojnë këtë proces. E ndërsa autoritetet tatimore dhe doganore në vend nuk po performojnë në optimumin e tyre sipas statistikave zyrtare të financave publike, çështja e eficiencës kthehet në parakusht për t’i kthyer zonat e lira në histori suksesi.  Për më tej, mbetet themelore krijimi i një mjedisi mundësues biznesi ku të drejtat e pronësisë janë të mirëpërcaktuara. Programi i zonave të lira ekonomike duhet të fokusohet në nxitjen e sektorëve me rëndësi për zhvillimin e integruar ekonomik e ku faktori i produktivitetit njerëzor është më i lartë, me qëllim që të maksimizojë impaktin pozitiv ekonomik në një periudhë afatgjatë.

Zonat e lira ekonomike pritet të rritin konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në kontekst rajonal, por mbetet një sfidë për autoritetet finalizimi i dizenjimit të tyre në një sistem ligjesh e rregullash që do të krijojnë një mjedis mundësish për të bërë biznes të suksesshëm. Suksesi i tyre fshihet në detaje.

Marrë nga MAPO, 20 korrik 2015