“Të dyja parqet kombëtare në zonën e Krujës rrezikuan të digjeshin nga zjarret e përmasave të mëdha që shpërthyen vitin e shkuar. Këto janë zona të mbrojtura nga shteti, por paradoksalisht e gjithë struktura e zjarrfikëseve të Krujës është 12 persona. Kur nuk ka mjete e nuk ka strukturë, çfarë do të bëjnë zjarrfikësit për të shuar zjarrin”, këtë apel dha shefi i zonave të mbrojtura Abdulla Hasani në prefekturën e Durrësit, ku ishte mbledhur Shtabi i Emergjencës, për marrjen e masave kundër zjarreve, nën drejtimin e prefektit Roland Xhelilaj.

Nga eksperienca e viteve të shkuara, situata ka rrezikuar të dalë jashtë kontrollit në zonat e mbrojtura, në të dy parqet kombëtarë në Krujë, ndërsa vështirësi janë vënë re në zonat më periferike të Ishmit e Manzës ku terreni është i vështirë. Prefekti Xhelilaj theksoi se “Bashkëpunimi me të gjitha strukturat e shtetit deri në çdo fshat, për të përballuar situatën por edhe për të shmangur zjarret apo për t’i vënë në kontroll, është mjaft i rëndësishëm”.

Përfaqësuesit e Shërbimit Pyjor në Durrës bënë me dije se janë ngritur grupet e patrullimit në të zonat pyjore, për të evidentuar problematikën që mund të haset.  

Ndjekim videon!

K.H.