*Njhuni me çmimet e qirave dhe shit-blerjes së apartamenteve/ banesave/trojeve e bizneseve në Durrës
Nga Stela Likmeta
Megjithëse në Durrës ka shumë oferta në treg për apartamente të mëdha, vila, apo troje, kohët e fundit vëmë re vetëm dy kategori blerësish: ata që blenë një apartament me sipërfaqe të vogël (1+1) dhe nga ana tjetër, ata që investojnë për të hapur një biznes, duke blerë troje apo objekte me vlerë prej qindra-mijëra dollarësh. Është ky trendi i fundit që ndeshim në qytetin e Durrësit, më saktësisht vitin që lamë pas, i cili ka ndryshuar rrymën e viteve të mëparshme, duke sjellë një frymë tjetër në qytet.
Arjana Isaku nga “DEA Imobiliare”, një prej agjencive imobiliare më serioze e më të vjetra, thotë për “DurrësLajm”, se në vitin 2016 filloi lëvizja më shumë se në vitet e shkuara, duke pasur më tepër blerje ambientesh për biznes dhe për apartamente, ku pjesa dërrmuese e blerësve të këtyre të fundit janë ata që kërkojnë një apartament minimal, 1+1.
Agjentët imobiliarë pranë “DEA”-s, pohojnë se viti 2016 është karakterizuar më tepër nga shitjet e pronave. “Prona të rëndësishme janë shitur gjatë vitit që lamë pas në bulevardin “Epidamn” e rreth e rrotull saj. Biznesmenët po investojnë për hapjen e një biznesi në këtë zonë, që është dhe një nga më të frekuentuarat. Muajt e fundit është hapur “Vila Brais”, dy-tre lokale të reja janë ngritur po në rrugicën “Xhamia”, e cila tanimë ka marrë një pamje krejtësisht tjetër. Ka shumë më tepër lëvizje dhe gjallëri”, thotë Isaku.
Shumë pak metra pranë tyre, por në rrugën kryesore në bulevard, tani së shpejti pritet dhe hapja e “Proper Pizza”-s, pjesë e rrjetit të famshëm të pizzerisë me të njëjtin emër, një tjetër investim i madh.
2015-a viti më i dobët për blerje pronash
Ndërkohë që 2016-a cilësohet nga agjentët imobiliarë si viti më i mirë për blerjen e pronave, viti më i dobët është 2015-a. Kjo vërehet edhe nga të dhënat zyrtare që “DurrësLajm” kërkoi pranë ZRPPS-së Durrës.
Emigrantët dhe çiftet e reja, blerësit më të mëdhenj të apartamenteve
Agjenti imobiliar Xhoi Kadriu, po nga agjencia “DEA Imobiliare”, thotë se emigrantët luajnë ende një rol të veçantë në lidhje me pasuritë e patundshme. “Shumë nga emigrantët preferojnë të kthehen dhe një pjesë të kapitalit vendosin ta investojnë në pasuri të patundshme si apartamente, kryesisht për prindërit e tyre apo edhe për vete, që kur të kthehen në vendlindje për pushime, t’i kalojnë ato pak ditë në shtëpinë e tyre”.
Janë edhe çiftet e reja ata që më së shumti e kanë të qartë se çfarë kërkojnë: një apartament 1+1, me vlerë maksimumi deri në 40 mijë euro. Dhe pjesa dërrmuese e tyre, nuk kanë mundësi tjetër blerjeje veçse duke marrë kredi në bankë.
Të gjithë me pamje nga deti
Ka edhe një pikë që i bashkon emigrantët dhe çiftet e reja: shtëpia e tyre duhet të ketë patjetër pamje nga deti. Panorama e bukur që të ofron qyteti i Durrësit, qoftë në shëtitoren e Vollgës deri në Currila, apo qoftë edhe në vijën e Plazhit, ka filluar kohët e fundit të kthehet në një trend për të rinjtë. Nëse brezat e para viteve ’80 kishin si objektiv primar një shtëpi ku të fusnin kokën, e të mos u shkonte jeta duke paguar qira, të rinjtë e sotëm, një rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe relaksit e qetësisë që të sjell një panoramë e bukur. E këtu, natyra e mrekullueshme që Zoti i ka dhuruar Durrësit, luan një rol kyç.
Por si janë çmimet e apartamenteve në zona të ndryshme të Durrësit? A ka një diferencë të madhe mes zonave të konsideruara si më të shtrenjtat dhe atyre periferike?
“DurrësLajm” ju liston më poshtë çmimet në minimumin dhe maksimumin e tyre sipas zonave të caktuara.
Çmimet e apartamenteve me qira në zonat më të shtrenjta luhaten nga 180-300 euro/muaj, ndërsa në periferi apartamentet kushtojnë nga 10 mijë -20 mijë lekë. Vlera e apartamenteve në shitje varion nga 600 – 700 euro/ m² në qendër, në 400 – 500 euro/m² në periferi.
Rritja e çmimeve në 5-vjeçarin e fundit
Vlen të theksohet se gjatë 5 viteve të fundit, çmimet në Durrës kanë pësuar një rritje prej rreth 20 %. Nëse në vitin 2010 një apartament merrej me qira në zonën e Vollgës nga 140 – 150 euro, sot vështirë se mund të gjesh një të tillë poshtë 180 eurove.
APARTAMENTET
ZONAT MË TË SHTRENJTA: Vollga, vija e pallateve pranë shëtitores “Taulantia”, bulevardi “Dyrrah” dhe ai “Epidamn”, në qendër pranë bashkisë deri te ish-lulishtja “1 Maji”.
ZONAT MË TË VARFRA: Ish-Këneta dhe Spitalla, deri në Porto Romano, (zona që përgjithësisht nuk kanë shumë të zhvilluar urbanistikën).
APARTAMENTE ME QIRA NË ZONAT MË TË SHTRENJTA
Ap. (1+1): 180 euro (minimumi) 200 – 250 euro (maksimumi)
Ap. (2+1): 200 euro (minimumi) 250 – 300 euro (maksimumi)
(Ky çmim është i vlefshëm për apartamentet e mobiluara totalisht. Kur janë të mobiluara pjesërisht, çmimi zbret me rreth 50 euro).
APARTAMENTE ME QIRA NË PERIFERI
Ap. (1+1): 70 euro (minimumi) 100 euro (maksimumi)
Ap. (2+1): 110 euro (minimumi) 150 euro (maksimumi)
APARTAMENTE ME QIRA NË PLAZH
Në zonën e Plazhit, çmimet ndryshojnë sipas sezoneve. Gjatë stinës së verës kur shënohet dhe sezoni turistik, pronarët e apartamenteve dhe banesave i rrisin çmimet. Gjatë vitit, çmimi mbetet i pandryshuar për një qiramarrës, në rastet kur ai e merr me kontratë 1-vjeçare apo për një kohë më të gjatë.
Çmimet e apartamenteve të mobiluara me të gjitha kushtet, që hyjnë në grupin e atyre apartamenteve të cilësuara si ‘të mira’, variojnë nga 10 000 lekë deri në 15 000 lekë. Ndërsa gjatë sezonit turistik, apartamenti më i mirë në Plazh jepet edhe me 50 euro/ nata, ai më i liri me 30-35 euro nata. Ndërsa dhomat jepen me 10-15 euro/ nata.
SHITJET E APARTAMENTEVE
Periferi: 400- 450 – 500 euro/m²
Qendër: 600 – 700 euro/ m²
Ariana Isaku pohon se në zonat e konsideruara si ato më të shtrenjtat, në Vollga, rreth e rrotull pallateve pranë hyrjes së portit dhe Torrës Veneciane, si dhe te bulevardi “Epidamn”, apartamentet janë shitur edhe me 800 euro/m².
Në Plazh
Vija e parë: 750-800-1000 euro/ m²
Vija e dytë: 480- 550 euro/ m²
Nga e njëjta agjenci raportojnë se kërkesat janë të mëdha për vijën e parë dhe me pamje nga deti, dhe të interesuarit për të blerë shumë pranë bregut, gjithnjë negociojnë edhe për ulje çmimi.
Shitje e garantuar në përgjithësi në Durrës, janë apartamentet 1+1 dhe maksimumi ato 2+1, pohojnë agjentët imobiliarë. Ndërsa apartamentet me sipërfaqe banimi më të madhe, 3+1 apo më e zgjeruar, shumë rrallë. Vetëm në ato raste kur objekti nxirret në ankand nga bankat dhe oferta është e leverdisshme e nuk ia vlen për t’u humbur.
VILAT
*Agjentët imobiliarë theksojnë se blerja e vilave është shumë dobët!
Po vila, a ble kush në Durrës? Nëse në Tiranë po bëhet një trend gjithnjë e në rritje, blerja e një vile në zona të largëta periferike, larg zhurmës e smogut mbytës, përmendim këtu Lundrën, ku ngrihet një kompleks vilash luksoze, e konsideruar dhe si lagja e VIP-ave (personazhe të njohur nga bota televizive tashmë banojnë aty), në Durrës nuk funksionon aspak kështu. Për këtë ka disa shpjegime, së pari nuk ka ende një zonë të mirëfilltë me një kompleks vilash moderne e të sofistikuara; zonat periferike në Durrës nuk e kanë shumë të zhvilluar urbanistikën. E nga ana tjetër, ata që blenë një vilë të tillë, që kushton më së paku 350 mijë euro e që mund të shkojë deri në 700-800 mijë euro, duhet të jenë njerëz me të ardhura super të larta, që për hir të së vërtetës, pjesa dominuese e tyre jetojnë në kryeqytet e jo në Durrës. Sigurisht që në Durrës e rrethinat e tij, përmendin këtu edhe Shijakun kryesisht, nuk mungojnë vilat e shtrenjta, por ato janë ndërtuar që nga themelet nga pronarët e tyre, rrallëherë janë blerë të gatshme.
Agjentët thonë se ndjehet shumë kriza ose nuk iu intereson që t’i bllokojnë paratë në një vilë, por më tepër në një biznes që do t’iu sjellë të ardhura.
Ja disa vila që aktualisht janë në shitje në pika të ndryshme të qytetit bregdetar:
Te lagja 16, mbrapa stadiumit, vilë 1-katëshe 123 m² sip. ndërtimi – 150 mijë euro
Mbrapa Torrës, vilë 2-katëshe, 200 m² sip. ndërtimi, 280 m² truall (70 m oborr), – 400 mijë euro
Kënetë, te rrethrrotullimi i universitetit të ri, vilë 1-katëshe, 125 m² sip.ndërtimi, 390 m² truall, – 120 mijë euro
Shkozet, vilë dykatëshe – 200 mijë euro
Sallmone, 400 m² truall, 100 m² sipërfaqe ndërtimi – 280 mijë euro
Spitallë, vilë 120 m² – 65 mijë euro
Golem, vilë dykatëshe, 200 m² – 70 mijë euro
TROJE NË SHITJE
Autostrada, 50 – 100 euro/ m²
Këneta, Spitallë, 20 – 40 euro/ m²
Plazh, vijë e parë, 200 – 400 euro/ m²
Kallm, 70 – 120 euro/ m²
Shën Pjetër (te pishat) dhe Arapaj, 30 euro/ m²
Gjiri i Lalzit:
Brezi I: 60 – 70 euro/ m²
Brezi II: 45 euro/ m²
Brezi III: 35 euro/ m²
Kepi i Rodonit: 25 euro/ m²
Xhafzotaj: 60 euro/ m²
Shkallnur: 100 euro/ m²
GARAZHE
Edhe për të blerë një garazh, çmimet ndryshojnë gjithashtu sipas zonave. Nëse kërkon në zonën e shtrenjtë, një i tillë shkon deri në 35-40 mijë euro, ndërsa në zonat periferike rreth 10-20 mijë euro.
MAGAZINAT NË SHKOZET
Me interes kanë qenë dhe kapanonet e magazinat me sipërfaqe të mëdha ndërtimi në zonën e Shkozetit, për fasoneritë, duke pasur parasysh që kjo zonë është pikë kyçe lidhëse e Durrësit. Vazhdimisht në këtë zonë janë blerë kapanone gjigante, ku më pas janë ndërtuar fasoneri të fuqishme.
QIRATË E KATEVE TË PARA PËR BIZNES
Qendër: 10- 15 euro/ m²
Periferi: 5 euro/ m²
Kërkesa kryesore e të interesuarve për dyqan
Trendi: dyqane me sipërfaqe të vogla, të jenë sa më të dukshme në rrugë, mundësisht pa shkallë e pa hyrje të thella, por kontakti me klientin të jetë i menjëhershëm.
Ecuria e tregut të shitblerjeve në Durrës
Sipas të dhënave zyrtare që “DurrësLajm” mori pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në vitin 2016 kemi një numër kontratash shitjeje më të lartë se në vitin 2015. Për vitin 2015, në total janë regjistruar 2692 kontrata shitjeje, ndërsa në 2016-n 2885 KSH, pra 193 kontrata më tepër gjatë vitit të fundit (këtu përfshihen kontratat për çfarëdolloj blerjeje: apartamentesh, vilash, biznesh, trojesh, dyqanesh etj.)
Ndërsa deri në datën 21 shkurt 2017, janë regjistruar në total 449 KSH, një shifër pak a shumë e njëjtë po ta krahasojmë me muajt janar e shkurt të viteve të shkuara.
Konkretisht:
Janar 2015 – 215 Janar 2016 – 252 Janar 2017 – 268
Shkurt – 223 Shkurt 2016 – 187 Shkurt 2017 – 181