Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak Durrës, projektvendimi për miratimin e marrëveshjes për zhvillimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” krijoi debate mes këshilltarëve të koalicionit “Bashkë fitojmë” me kryebashkiaken Emiriana Sako.
Këshilltari Ardian Muka vuri në dukje se në 4 akte të ndryshme, sipërfaqja që do vihet në dispozicion nga bashkia Durrës për zhvillimin e projektit ishte e ndryshme.
“Në materialin që na keni sjellë sipërfaqja ka 4 vlera të ndryshme në 4 akte të ndryshme. Sipas akteve të pronësisë që na keni vënë në dispozicion, totali i tyre është 66. 275 metra katrorë. Sipas inventarit të pronave shtetërore të bashkisë Durrës janë 65.068 metra katrorë, sipërfaqe në funksion të sporteve dhe 3.271 sipërfaqe rrugë. Në akt-marrëveshjen mes palëve në aneksin nr.1 flitet për 70 mijë metra katrorë, ndërkohë që në një relacion na është referuar 84 mijë metra katrorë. Nëse bëjmë diferencën mes sipërfaqes mininamle dhe maksimale flasim për rreth 16-17 mijë metra katrorë diferencë. Ky material, sot, kështu siç është, është i pasaktë”,– tha Muka.
Në të njëjtën kohë, duke nënvizuar se detajet e projektit u janë vënë në dispozicion me shumë vonesë, këshilltari Muka theksoi se hapësirat që do t’i rezervohen hotelerisë dhe qendrave multifunksionale, janë më shumë sesa terrenet sportive që do të ndërtohen aty.
“Mes stadiumit dhe zonës sportive po ndërtojmë një lagje, sepse kemi hoteleri me 15 kate, kemi hotel 8700 metra katrorë, sporte dhe aktivitete kulturore 5600 m2, kemi një godinë 20 katëshe 15.800 m2, kemi zonë komerciale dfhe zyra 17 mijë m2, kemi zonë komerciale dhe rezidenciale 12.400 m2. Bashkia e Durrësit po kërkon të ndërtojë një zonë sportive dhe ndërkohë po kërkon të jetë pronare hotelesh, zyrash dhe zonash komerciale”.
Kryebashkiakja Emiriana Sako sqaroi se sot miratohet vetëm marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit, bashkisë, AKPT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe jo projekti që do të zhvillohet tek kompleksi i stadiumit.
Marrëveshja u miratua me 33 vota pro dhe 9 kundër, pavarësisht se këshilltarët e djathtë kërkuan shtyrjen e shqyrtimit të saj në një mbledhje tjetër.
Pikat e tjera të rendit të ditës u miratuan me votat PRO të këshilltarëve të majtë, pasi të djathtët për disa projektvendime zgjodhën të abstenonin apo të votonin kundër.
M.B.





