Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Zonja e Parë Armanda Begaj e shoqëruar nga një grup nxenësish të shkollës 9 vjeçare “Shaqe Mazreku” Durrës, vizitoi kullën në kalanë bizantine të Durrësit që njihet si “Torra Veneciane”.
Monumenti i Trashëgimisë Kulturore është shndërruar tashmë në një qendër të interpretimit multimedial të historisë së qytetit antik.
Bazuar në temën e këtij viti, të Ditës Botërore të Muzeve që synon edukimin dhe kërkimet shkencore, Zonja Begaj përcolli mesazhin e nevojës për t’u rritur me kulturën e vizitave në muze dhe frymën e historisë. Ajo ftoi të gjithë fëmijët të zbulojnë trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit të Durrësit.
“Fëmijët duhet të vijnë këtu që të njohin historinë e Dyrrachiumit dhe nëpërmjet saj, historinë e Shqipërisë”- u shpreh Zonja Begaj gjatë kësaj vizite, ndërsa ndau me nxënësit gjatë bisedës, rëndësinë që ka e shkuara e një kombi për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë.
Vizita në Torren Veciane emocioni të vegjlit të cilët të impresionur nga imazhet historike të përcjella në kupolën e kullës nga mjetet dixhitale, premtuan që do të shprehin refleksionet e tyre përmes eseve dhe pikturave.
Zonja Begaj, në ndjekje të traditës së nxitjes së leximit shqip, u dhuroi nga një libër nxënësve që u bënë pjesë e akivitetit “Zbulo trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit të Durrësit”.