Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska në një intervistë për BBC, ka folur për ndikimin emocional që ka pasur lufta në familjen e saj.
“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim, jo një figurë historike, pranë meje”, tha ajo.
Ajo foli gjithashtu për mungesën e familjes për të kaluar kohën së bashku.
“Por ne qëndrojmë të fortë, kemi forcë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku,” shtoi ajo.
Kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.
Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si “një ndjenjë konstante adrenaline”. Me kalimin e kohës, ajo e kuptoi se ishte “e nevojshme” të qetësohej dhe të fillonte të jetonte jetën në kushtet ekzistence për jetën.
Olena Zelenska gjatë intervistës është shprehur se nuk jetojnë së bashku me Presidentin Zelensky dhe se familja tashmë është e ndarë, por takohen herë pas here edhe pse jo aq sa ata do të dëshironin të qëndronin së bashku. Ndër të tjera zonja e parë është shprehur se djalit të saj i mungon babai.
Megjithatë, pasiguria e të jetuarit në luftë ka ardhur me një kosto emocionale për fëmijët e saj, tha ajo.
“Më dhemb kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë. Në një moshë të tillë, të rinj. Vajza ime është 19 vjeç. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë. Ka kufizime në kohë në atë që mund t’i lejosh vetes, ato ekzistojnë dhe ne disi përpiqemi të jetojmë brenda tyre.”
Zonja e parë dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishin bashkë që në shkollën e mesme dhe më pas vazhduan të punonin së bashku në një trupë humori dhe studio televizive, ai si aktor dhe ajo si skenariste.
Tani, ajo reflekton se nuk e kishte ëndërruar kurrë që bashkëshorti i saj të bëhej “figura historike” që është sot, duke thënë se i kishte marrë malli dhe kishte nevojë që ai të qëndronte në krah si bashkëshorti i saj.
Pavarësisht nga ajo që ajo tha se mund të jetë një dëshirë “egoiste”, Olena Zelenska tha se presidenti, “me të vërtetë ka energji, vullnet, frymëzim dhe kokëfortësi për të kaluar këtë luftë”.
“Unë besoj në të. Dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë. Ai me të vërtetë është një person shumë i fortë dhe elastik. Dhe ky elasticitet është ai që ne të gjithë kemi nevojë për momentin”.
Puna e saj e fundit si zonja e parë është fokusuar në ndihmën e ukrainasve që të përballen me ndikimin psikologjik të luftës dhe ajo po përgatitet të bashkëorganizojë një samit në Kiev që do të fokusohet në shëndetin mendor dhe qëndrueshmërinë.