“Zot ruaje Durrësin nga një tjetër tërmet!”

Kjo është lutja e përditshme me të cilën gdhijnë dhe ngrysin ditët familjet e rikthyera në pallatet e dëmtuara rëndë nga tërmeti.

Muajt e fundit godinat shumëkatëshe me dëmtime DS4 dhe DS5 janë populluar sërish, pasi mos dhënia e bonusit prej 10 muajsh i ka detyruar qytetarët të rrezikojnë edhe jetën duke banuar në godina jashtë standarteve teknike të sigurisë.

Në zonën e plazhit, tek ai që njihet si pallati i arabit, janë kthyer të banojnë rreth 50 familje. Me një kolonë të thyer dhe telat e energjisë elektrike të ekspozuara ndaj lagështisë, ky pallat është dëshmi tragjike sesi të pastrehët e tërmetit janë lënë në mëshirë të fatit.

“Bonus qiraje nuk japin, as riforcim nuk kanë bërë. Ne jemi fut brenda se s’kemi ca bëjmë, nga të shkojmë! Bashkia e Durrësit për këto ka qenë zero.”

“Ky pallat bie çdo ditë nga pak. Bien copa nga sipër, u them fëmijëve sa herë mos kalojnë këtu afër se bien gurë”.

“Nuk rrihet këtu, por jemi kthyer se s’kemi ku të rrimë. Pa lekë, pa kurrgjë. Po rrezikojmë shumë”,– thonë disa prej banorëve për “DurrësLajm”.

Të pashpresë për të marrë bonusin e qirasë, familjet kërkojnë zgjidhje konkrete nga autoritetet për fatin e godinës 10 katëshe: “O të vijnë ta shkatërrojnë fare, të na thonë ikni ku të doni, o të vijnë ta rindërtojnë”.

Disa herë me radhë, “DurrësLajm” ka pasqyruar realitetin fatkeq të qindra familjeve që janë kthyer muajt e fundit të jetojnë në pallatet me shkallë dëmtimi të lartë nga tërmeti. Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqesin këto godina që mund të kthehen në varreza masive, autoritetet vendore dhe qendrore kanë dështuar së dhëni një përgjigje konkrete për 2500 familjet që deri në mars të vitit të kaluar trajtoheshin me bonus qiraje.   

M.B.