“Zoti kryeministër, mos na lini ta kalojmë natën e ndërrimit të viteve me përshesh me qumësht”, është ky apeli që japin pensionistët e Durrësit në prag të festës së ndërrimit të viteve.

Qeveria, ditë më parë ka deklaruar se pensionistët do të marrin 2 deri në 3 mijë lekë shpërblim për Vitin e Ri. Por shuma e lekëve, 5 ditë nga nata e ndërrimit të viteve, ende nuk ka nisur të shpërndahet, ndërsa pensionistët këtë e konsiderojnë një situatë sa qesharake, aq edhe groteske.

“Me 2 mijë lekë sot marr dy kg mish, e kemi prej kryeministrit”, thotë një pensionist.

“Me 3 mijë lekë që mund të na japin, mbase blejmë ca fruta e ndonjë pulë. Më shumë s’ka. Po nuk na i dhanë para festave, përshesh me qumësht do të hamë”, thotë një tjetër.

“Presim të na i japin të hënën. Për veten e tyre kanë miliona, për pensionistët nuk japin as thërrimet”, thotë një tjetër. E gjithë shtresa e pensionistëve dhe invalidëve e para e tetraplegjikëve presin me padurim të zbatohet vendimi i kryeministrit.    

K.H.