VLORE- Dënojmë dhunën ndaj gjyqtares Mishgjoni dhe ndaj çdo gjyqtari tjetër”. Kështu ka deklaruar nga qyteti i Vlorës, numri dy i ambasadës amerikane në vend, Henri Zhardin. Zëvendësambasadori i SHBA-ve ishte i pranishëm në seminarin me temë “Lufta kundër korrupsionit gjyqësor dhe politik”, ku u trajnuan gjykatës, prokurorë dhe efektivë të policisë së Vlorës. Në këtë seminar, ishte instruktor zëvendësprokurori i Përgjithshëm amerikan Peter Ainsworth, i cili kishte një rol aktiv në trajnimin e disa pjesëtarëve të trupës gjyqësore Vlorë dhe disa prej prokurorëve të këtij rrethi. Gjatë fjalës së tij, zëvendësambasadori amerikan tha se në këtë takim u eksploruan mundësitë e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare. Lidhur me zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Konomi, Zhardin deklaroi se qeveria amerikane ka dhënë kontribut në hetimin e kësaj çështjeje. 

DEKLARATA 

Sulmi ndaj gjykatëses Mirela Mishgjoni, i ndodhur më 16 janar, ka qenë në qendër të deklaratave të zëvendësambasadorit amerikan, gjatë vizitës së tij në Vlorë. “Mendoj se kemi parë dhe shembuj më konkretë, si sulmi ndaj gjykatëses, i cili ishte për të ardhur keq. Ne e kemi dënuar këtë rast dhe kemi parë që shumë zyrtarë të drejtësisë janë në vijë të parë të frontit dhe luftës”, – është shprehur Zhardin. Nisur edhe nga precedenti i mëparshëm i vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, Zhardin tha se, pavarësisht sfidave dhe rreziqeve, SHBA do ndihmojë në kalimin e tyre. “Ka realisht sfida dhe rreziqe të shumta për drejtësinë shqiptare, por shpresojmë se me ndihmën tonë dhe me trajnime të vazhdueshme, do kalohen këto pengesa”, – deklaroi zëvendësambasadori i SHBA.

Ndërkohë, i pyetur për ndihmesën e SHBA-ve në zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Konomi, zëvendësambasadori u shpreh se qeveria amerikane ka dhënë kontribut në vite në drejtim të hetimit të proceseve gjyqësore. “Dua t’ju siguroj se qeveria amerikane ka dhënë një ndihmesë në vite në drejtim të hetimit të proceseve gjyqësore edhe të rasteve të tilla si vrasja e gjyqtarit Konomi. Një nga këto është grupimi i përbashkët hetimor, i cili funksionon në Vlorë prej 3 vjetësh, ndërmjet Prokurorisë dhe organeve të tjera, ku prokurorë, gjykatës dhe efektivë të policisë, ndihmojnë në raste të tilla”, tha numri dy i ambasadës së SHBA. Gjatë vizitës së tij, zëvendësambasadori i SHBA, Henri Zhardin zhvilloi një bisedë me të rinjtë e Vlorës, në këndin amerikan të bibliotekës së qytetit, ku u diskutuan zgjedhjet dhe fushata elektorale në SHBA.