ZAGREB, 2 gusht 2013 – Një skandal diplomatik është konsideruar incidenti i ndodhur në Zagreb të Kroacisë me zv/ambasadorin e Kosovës, i cili është arrestuar e më pas është liruar. Mediat kosovare raportojnë se zv/ambasadori Urtak Hamiti, eshte arrestuar ne gjendje te dehur, pasi ka shkaktuar një aksident rrugor. 

Sipas mediave kroate, zyrtari kosovar ka vene ne panik kalimtaret e rastit, për shkak të veprimeve të pakontrolluara me makinën e tij. Ndërsa forca policie e kanë rrethuar atë, duke e shtrirë përtokë në gjendje të dehur. 

Dëshmitarët thanë se ai goditi disa vetura që ndodheshin të parkuara buzë rrugës. Në Ambasadën e Kosovës në Zagreb e kanë konfirmuar arrestimin e zyrtarit të saj, ndërsa kane mohuar se ai ka qenë i dehur. Sipas ambasadës, e gjithë ngjarja ishte keqkuptim dhe zyrtari ishte liruar pas 10 minutash. 

Sakaq në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se është duke u shqyrtuar incidenti në fjalë dhe do të veprohet në bazë të rregulloreve. 

Urtak Hamiti është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ndërsa është emëruar në shërbimin diplomatik qe kur ministria e jashtme drejtohej nga Skënder Hyseni.