Intervistoi Shefqet Kërcelli

Zoti Kapiten, Drejtoria e Përgjithshme Detare (DPD) është një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar për pjesën e detit. Donin të njiheshim me disa nga detyrat dhe realizimet kryesore të DPD, pasi me sa kemi parë dhe opinioni publik pak është i njohur me punën tuaj.

Së pari ju falenderoj për këtë intervistë, të cilën e shoh si një mundësi për të treguar disa nga detyrat kryesore me të cilat përballet personeli i DPD çdo ditë.

Para se të futem në detaje ,e shikoj me vend të theksoj se Drejtoria e Përgjithshme Detare është një institucion i pajisur me certificate cilësie sipas standarteve ndërkombëtare  ISO 9001-2015. Përgatitja e manualit të cilësisë për DPD është mundësuar nga ekspertë të huaj  të nominuar nga EMSA të cilët në bashkëpunim me një tjetër kompani çertifikuese mundësuan auditimin dhe çertifikimin e DPD sipas këtyre standarteve.

Aktivitetet kryesor të DPD janë:

– Monitorimi i trafikut detar,e cila kryhet nëpërmjet Kapitenerive të Porteve;

-Regjistrimi i mjeteve lundrues me flamur shqiptar, si dhe regjistrimi i detarëve shqiptar, e cila kryhet nga zyra e regjistrimit të mjeteve;

-Inspektimi i anijeve, pavarësisht flamurit që ato mbajnë, me qëllim garantimin e sigurisë së detarëve dhe të ambjentit detar,inspektime të cilat kryhen nga Sektori i Kontrollit Shtetëror të Flamurit KSHF dhe Sektori i Kontrollit Shtetëror Portual KSHP;

-Miratimi i planeve të sigurisë së porteve të hapura të RSH dhe monitorimi i zbatimit të tyre;

-Një sërë aktivitetesh  të tjera  në fushën e detarisë që kanë të bëjnë me eertifikimin e pilotëve dhe monitorimin e aktivitetit të pilotimit dhe rimorkimit, monitorimin e Qendrave të Trajnimit për Detarët dhe testimin dhe çertifikimin e detarëve etj.

Më pyetët për disa detyra të realiizuara nga DPD.., po i marr me rradhë:

Tashmë ne kemi bërë realitet instalimin e sistemit satelitor LRIT (Long Range Identification and Tracking), i cili është instaluar ne anijet me flamur shqiptar, që lundrojnë në zonat A2, A3, A4. Kostoja e këtij sistemi u përballua nga shteti shqiptar. Ky sistem,ka qënë dhe është i detyrueshëm. DPD e mundësoi instalimin e këtij sistemi, i cili i ka ardhur direkt në ndihmë  anijeve tona dhe pronarëve si taksapagues . Tashmë anijet me flamur shqiptar nuk bllokohen më në portet e huaja për mungesë të këtij sistemi siç ka ndodhur më parë.

Një sistem tjetër i rëndësishëm është sistemi AIS Kombëtar (Automatic Identification System), që ka hyrë në funksion nga 2 maji i këtij viti. Ne ishim vendi i vetëm në rajon që nuk e kishim këtë sistem. Por, falë bashkëpunimit e ndihmës nga EMSA, e cila solli 5 stacione moderne, që janë instaluar 4 në portet kryesore dhe një tek feneri i Durrësit, ujërat territoriale shqiptare nuk janë më në “errësirë”. Nëpërmjet këtij sistemi, kapiteneritë tona identifikojnë të gjitha anijet që hyjnë e dalin në portet tona. Kështu, me instalimin e këtij sistemi,vendi ynë shkëmben të dhëna nëpërmjet  sistemit MAREΣ, për të gjitha anijet që lundrojnë në Mesdhe e Detin e Zi, pra, në zonën Evropiane. Kjo lehtëson shumë marrjen dhe dhënien në kohë reale të informacionit në lidhje me anijet që kanë destinacion portet e hapura të RSH, informacion i cili konsiston në llojin e anijes, llojin e mallrave që transporton, porti i nisjes etj . Vlen të ritheksojmë se instalimi i sistemi AIS u bë i mundur në sajë të përpjekjve tona të vazhdueshme dhe ndihmën e cmuar të EMSA (Europian Maritime Safety Agency).

Por nuk mjafton me kaq, pasi sistemit MAREΣ, në të cilën tashmë kemi akses, do të integrohet në sistemin VTMIS (Vessel Traffic and Monitoring Information System), i cili është në proces implementimi dhe po mundësohet nëpërmjet një granti të Bankës Botërore.

Sitemi VTMIS, i cili shpresojmë të implementohet plotësisht deri në fund të vitit 2024, do të ofrojë tre shërbime të domosdoshme ndaj anijeve që do kenë destinacion porte shqiptare,por edhe ndaj anijeve në kalim transit në ujrat teritoriale shqiptare, a. shërbimin TOS (Traffic Organization Scheme),nëpërmjet të cilit do të mundësohet disiplinimi i trafikut të lëvisjeve të anijeve nëpërmjet kurseve të rekomanduara, b. shërbimi INS ( Information Navigation Service) nëpërmjet të cilit do të mundësohet shkëmbimi i informacioneve për safety and security midis ekuipazhit dhe operatorëve të VTS dhe c. NAS(Navigation Assistance Serivce) nëpërmjet të cilit do të mundësohet asistenca nga VTS nëse do të kërkohet nga ekuipazhi.

Sitemi VTMIS është edhe një detyrim i vendit tonë në kuadër të projektit ADRIREP ,i cili ka si qëllim ndarjen e detit Adriatik në tre zona monitorimi dhe raportimi, me fjalë të tjera, të gjitha anijet që do të hyjnë në detin Adriatik do të duhet të raportojnë në njërin nga shtetet e Adriatikut dhe më pas ky informacion i kalon automatikisht të gjitha shteteve të tjera të rajonit të Adriatikut, pra do të kryhet shkëmbimi i të gjithë informacioneve në kohë reale për të gjitha anijet që do të lundrojnë në Adriatik, pavarësisht destinacionit të tyre, qëllimi, rritja e sigurisë lundrimore në Adriatik dhe parandalimi incidenteve dhe ndotjes detare në këtë rajon.

Si përfundim,të gjitha këto sisteme i shërbejnë dhe do ti shërbejnë rritjes së sigurisë njerëzore, teknike dhe parandalimin e incidenteve dhe ndotjeve detare.

E shoh që janë vënë në zbatim dy projekte të rëndësishme, njëri në proces, dhe ju jeni modestë. Me këto sisteme i keni shërbyer direkt transportit detar, kompanive e bisneseve që operojnë në det, duke bashkëpunuar ngushtësisht me organizmat përgjegjse ndërkombëtare. Pra, shohim që në DPD ka një trend të mirë për të siguruar standarte ashtu si vendet e tjera. Shohim gjithashtu që gjithë personeli është në aktivitetet, Zyra e Regjistrimit të mjeteve detare po bën një punë voluminoze, për shkak të rritjes së kërkesave.

Është e vërtetë. Aktualisht DPD afron gati 98 % të shërbimeve online. Ky shërbim ka filluar në zbatim të  VKM-s së vitit 2022, për shërbimet online. Tashmë shërbimi online përfshin të gjithë aktivitetin e regjistrimit dhe lëshimit të dokumentacionit të anijeve me flamur shqiptar pavarësisht llojit të aktivitetit dhe madhësisë së tyre, çertifikimin e pilotëve etj. Te gjitha kapitenerite përdorin sistemin Albanian Marine Trafic për grumbullimin e informacionit nga agjensitë detare për anijet në hyrje dhe dalje, dhënien e  ejeve të nisjeve për të gjitha llojet e anijeve. Ne kemi një grup pune {komision} që harton planin strategjik të DPD, ku përfshihen projektet afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata., synimet dhe objektivat për vitet që vijnë. Bazuar në këto plane është përcaktuar edhe ndryshimi i modelit dhe formatit të dokumentave që lëshohen nga DPD, të cilat  në të ardhmen do jenë të  standartizuara ,bashkëkohore dhe me koeficent të lartë sigurie.

Kapiten, shohim që Kapiteneritë kanë qenë pjesë aktive dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit. Ç’ mund të na thoni për këtë cështje?

Në fakt Kapitenieritë janë bashkëpunuese dhe monitoruese të operacioneve të tilla. Ato e ushtrojnë veprimtarinë në porte dhe radë, për më tepër nuk kanë mjete për të realizuar të tilla operacione. Nëpërmjet QNOD, e cila drejton operacione të tilla, me specialistët që kemi atje, ne monitorojmëmë dhe shkëmbejmë informacione, jemi institucion bashkepunues me institucionet e tjera, Rojen Bregdetare, Policinë Kufitare, etj. Kuptohet që ka pasur dhe emergjenca që ne skemi ndenjur duarkryq, psh, kur është rrezikuar jeta e njerëzve, zjarret, ngecjet në cekinë, ne ndërmjetësojmë. Por, në raste të tilla mund të urdhërojmë cdo mjet detar privat të shkojë në vendin e aksidentit, pasi kompanitë private janë të detyruara të japin mjetin e tyre në të tilla raste. Pra, ne marrim informacion dhe iniciojmë vënien në lëvizje të institucioneve të tjera që i kanë për detyre operacionet e kërkim-shpëtimit..

Shoh që keni një personel modest me të cilin realizoni detyrat e përditshme. Si është niveli arsimor, profesional i personelit që keni aktualisht. cfarë pune keni bërë për ta kualifikuar këtë personel?

Një pyetje me interes. DPD është një institucion teknik e me specifika të veçanta, të cilat kërkojnë kuadro të mirëarsimuar e të kualifikuar. Ne kemi disa sektorë psh. kontrolli shtetëror i flamurit, sektori i kontrollit shtetëror portual, të cilët kryejnë inspektim në bordin e anijeve, i gjithë stafi i këtyre dy sektorëve kanë eksperiencë detare, me një fjalë kanë punuar në det si në departamentin e kuvertës, po ashtu edhe në atë të mashinës. Zyra e regjistimit të mjeteve, stafi i kapitenerive, përveç se kanë eksperiencë detare kanë edhe eksperience shumë vjeçare në këto detyra. Në lidhje me rekrutimin e personelit, mund të sqaroj se kjo procedure kryhet nëpërmjet Departamentit Administratës Publike (DAP).DPD ka përcaktuar dhe dërguar në DAP kriteret bazike që duhet të plotësojnë personat të cilët kërkojnë të punësohen pranë DPD. Përveç kritereve standarte DPD ka vendosur edhe disa kritere të tjera plotësuese të detyrueshme si,  eksperienca e punës në det e dokumentuar dhe vërtetuar nëpërmjet pasaportës së detarit, njohja e gjuhës angleze etj.

Vihet re kohët e fundit  një fenomen që përgjithësisht detarët nuk kanë pasur interes për t’u punësuar ne institucionet publike, për shkak të pagës apo interesa të tjera. Një kapiten anije s’të vjen këtu, për shkak të pagës. Puna në det është e vështirë, por e mirëpaguar. Detarët nuk preferojnë të punojnë me shkresa, si kane qejf burokracitë. Detarët nuk lakmojnë punën në administratë. Shpresojmë që me përmirësimet e bëra mbase ndryshon mendimi.

Në lidhje me ngritjen profesionale të personelit të DPD theksoj se cdo specialist i DPD ka mundësi  reale trajnimi, përditësimi dhe kualifikimi. I gjithë personeli mund të ndjekë kurse on line trajnimi të ofruara nga Shkolla e Administratës Publike duke zgjedhur fushën që mbulon secili apo që ai/ajo deshiron të trajnohet. Inspektorët e FSC dhe PSC kanë akses në  sistem Online RULE CHECK të mundësuar nga  EMSA. Në kriteret që vendosen për performancën e personelit është edhe detyrimi që cdo inspektor të kryejë të paktën 10 kurse trajnimi në 6 muaj. Në fund të çdo trajnimi personi pajiset me certifikatë online nga EMSA. Ne kemi dhe kriter zotërimin e anglishtes. Çdo i punësuar në DPD duhet me anglishte. Për këtë duhet të ketë dhe certificatë nga një institucion i licensuar. Gjithashtu në DPD sipas planit të bashkëpunimit janë zhvilluar trajnime nga IMO. Edhe RB Amerikane, monitoron procesin e sigurisë në porte. Kemi përfituar shumë nga asistenca e tyre. Ka disa kritere që lidhen me sigurinë dhe RB e SHBA është mbikqyrese. Ata njëherë në vit kryejme inspektime. Për cështjet e inspektuara kemi marrë opinione pozitive. Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, na vlerësuan për këtë mbikqyrje. Faktin që monitorohemi nga një institucion serioz sic është Roja Bregdetare e SHBA, ata e konsiderojnë të rëndësishëm.

Po me institucionet e tjera detare si i keni marrëdhëniet?

Përgjithësisht kemi marrëdhënie të mira dhe bashkëpunuese, sepse jemi për një qëllim të përbashkët. Probleme dalin, por sa i zoti je ti zgjidhësh. I konstatojmë, i diskutojmë dhe bashkëpunojmë  që t’i përmiresojmë dhe zgjidhim.

Para një muaji mos gaboj ju ishit në Bruksel, çfarë diskutuat dhe konkluduat atje!

Po, ishte një takim bilateral i rëndësishëm në kuadër të Kapitullit 14 dhe 21 . Më 12 korrik, ne bëmë prezantimin e legjislacionit detar të miratuar deri tani nga shteti shqiptar,  krahësuar me atë evropian në fushën e detarisë. Fakti që vendi ynë është kandidat për në BE, kemi shumë detyrime dhe në fushën e transportit detar, përsa i përket legjislacionit dhe standarteve.

Prezantuam punën e bërë, identifikuam legjislacionin detar, ku jemi, cfarë kemi përafruar pjesërisht, plotësisht, cfarë skemi realizuar. Direktiva e tyre është që cdo ligj që sështë miratuar, të harothet e miratohet, me afate konkrete. Për këtë do kemi ndihmën dhe asitencën e EMSA. Ata vlerësuan ndryshimet e bëra nga viti 2019 e këtej.

E kemi shumë të qartë cfarë kemi arritur deri tani dhe cfarë ngelet për tu realizuar në të ardhmen. Në bashkëpunim me  EMSA-n do të mundësojmë draftimin e akteve ligjore dhe nënligjore plotësisht të përafruara me atë të BE

Nga takimi i fundit në Bruksel morëm vlerësime shumë positive.

Dëgjoj shpesh debate nga detarët për kalimin e Flamurit tonë nga lista e zezë tek lista gri. Si është ky problem?

Është një shqetësim për të cilin ne po punojmë fort, me objektiv që më 31 dhjetor të këtij viti, flamuri ynë të kalojë në listën gri. Të qartësojme opinionin, problem i listës që aplikohet nga vendet anëtare të Paris MoU është pak i komplikuar dhe përgjithësisht konsiston në një  formule matematike. Kjo formulë aplikohet për flotën e atyre shteteve që kanë kryer të paktën 30 inspektime në një periudhë 3-vjeçare. Kjo formulë penalizon shtetet me flotë të vogël siç jemi ne. Për ta bërë më të qartë arsyetimin tim, ne kemi gjithsej 13 anije mallrash dhe pasagjere që kryejnë lundrime ndërkombëtare, aktualisht ndaj këtyre anijeve janë kryer gjithsej 53 inspektime nga të cilat kanë rezultuar vetëm 6 ndalime nga PSC e vendeve të MoU,ndërsa, psh  Liberia ka një flotë prej rreth 2500 anije dhe gjatë viteve 2020-2022 ka patur rreth 160 ndalime të anijeve të saj,por pavaresisht ketij numri, Liberia aktualisht renditet në listën e Bardhë. Sigurisht që ne kemi punuar, -hapi i parë ishte forcimi i sektori të Flag State, i cili kishte një specialist, ne në vitin 2020, me VKM e ndryshuam dhe e bëmë të plote me 5 të tillë. Tregues i kësaj është Exes faktori,ka qenë 3.8 në vitin 2021, mbas një viti ishte 2.1, dhe aktualisht është 0.82. Nëse matja do bëhej sot ne jemi në  listen gri,por  matjet dhe vlerësimi bëhet më 31 dhjetor 2023. Shpresojmë dhe po punojmë shumë që deri në fund të këtij viti të ruajmë këtë performancë.

Ka mendime e këndvështrime të ndryshme për këtë, ndaj është e nevojshme të sqarohet opinion publik. Theksoj se realizimi i këtij objektivi madhor nuk është vetem i DPD, por dhe institucioneve të tjera si RDSH. Ne po punojmë ta tejkalojmë këtë situatë, ndaj ta tregova dhe exes faktorin, nga 3.8 jemi nën 1. Ne po bashkëpunojme me ta, sepse dhe ata janë pjesë e kësaj procesi.  Për këtë lipset që dokumentat apo certifikatat që lëshojmë të jenë të sakta, për anijet, kompanitë e menaxhimit, subjektet private. Dhe pronarët e mjeteve janë ndërgjegjësuar dhe kanë filluar të tregohen bashkëpunues. E dimë që kemi anije të vjetra, e kemi të lehtë ti bllokojmë, e ti themi blini një anije të re. por përpiqemi të gjejmë gjuhën me pronarët, që ata t’i plotësojne kushtet dhe standartet që kërkohen. Kemi një synim të madh, kalimin në listën gri, në fund të këtij viti dhe për këtë po bashkëpunojme me të gjitha institucionet dhe subjektet private me interesa në det, kuptohet dhe institucionet përgjegjse të IMO. Futja në listën gri është një fitore e madhe për të gjithë, përderisa ne synojmë anëtarësimin në BE.

Problemet sociale-ekonomike të marinareve shqiptare janë në udhëkryq. Që nga pensionet qesharake, pagesat e vonuara, sigurimet shoqërore e shëndetësore, arbitrariteti i pronarëve, etj. Marinarët tanë s’kanë sindikatë, s’kane shoqate, syte i kanë ke DPD. Eshtë problem shqetësues e sensibilizues. Ne nuk kemi një status të marinarëve si në vendet e tjera.  Në këto kushte cfarë do afrojë DPD?

Këto problem i kam kaluar dhe vetë  kur kam punuar në anije. Ka ardhur momenti që ne të japim zgjidhje edhe për këtë cështje. Shteti shqiptar e ka ratifikuar konventën MLC dhe ILO konventën e punës, ky është hapi i parë. Janë disa akte nënligjore në fuqi që mbulojnë këto ceshtje por këto akte duhet të rishikohen dhe përditësohen. Një ndër asistencat që do i kërkojmë  EMSA-s, është edhe hartimi dhe përditësimi i këtyre akteve nënligjore në përputhje me direktivat e BE, për ti hapur rrugën zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi.

Përveç sa më sipër, ne po punojmë që të krijojmë edhe disa lehtësira për detarët e ardhshëm të cilët mbarojnë fakultetin e navigacionit në mënyrë që ,për këta studentë të sapo diplomuar,njohuritë e marra në universitet të njihen dhe konsiderohen si njohuri të nivelit bazik . S’ka përse një student qe mbaron shkollën, të bëjë kurset dhe te bëjë shpenzime të tepërta. Studenti mbasi diplomohet, certifikohet nga DPD si kadet për t’u imbarkuar në anije dhe për të kryer praktikat e nevojshme për ngritje profesionale  për vazhdimin e karrierës në det.

Së fundmi doja të thoja se, ne i kemi kapacitet profesionale për të realizuar detyrat e ngarkuara, pavarësisht se kemi nevoje për burime njerëzore.