Aleksia Peleshi, vajza në kopertinën e revistës italiane “Dimmi”, mori vëmendjen maksimale të rrjeteve sociale, jo vetëm për bukurinë e rrallë, por dhe për faktin se është e bija e zëvendëskryeministrit të vendit, Niko Peleshi.

Askush nuk e dinte që vajza e politikanit nga Korça i kishte hyrë botës së modelingut, një drejtim kryekëput larg atij të babait. Ndaj bujës së madhe që shkaktoi portreti i saj brun me sy jeshil nuk qëndroi indiferent as i ati, i cili, duke shfrytëzuar këtë muaj pushimi të kabinetit qeveritar, i ka kushtuar një status vajzës së tij 14-vjeçare. Bashkë me kopertinën e revistës, ku e bija shfaqet, ai ka shkruar paksa me shaka: “Ndihem xheloz për like-t e saj. Ndoshta politika nuk është në rrugën e duhur”.

Kjo diçiturë ka marrë miratimin e ndjekësve të tij, të cilët janë vendosur në këtë rast kundër politikës. Për të qenë imazhi i kopertinës së kësaj reviste për muajin gusht, Aleksia është ftuar në bashkëpunim nga “Grace Professional Courses” me revistën italiane “Dimmi”, ndërsa fotot janë realizuar Renuar Locaj. Por as Aleksia nuk u shpëtoi akuzave në rrjetet sociale për ndërhyrje estetike. Ja çfarë shkruan ajo në faqen e saj zyrtare, ndërsa u përgjigjet personave që dyshojnë te pamja e saj origjinale.

“Fakti që akuzohem kaq shumë për ndërhyrje plastike më duket i sëmurë. Për të disatën herë e përsëris që jam vetëm 14 vjeçe dhe nuk besoj se ka prind apo doktor në botë që lejon një 14-vjeçare të bëjë operacione plastike.

Whether you like me or not is your choice and I respect that, por nuk mund të dilni në përfundime si “është artificiale”, “është e gjitha plastike” pa pasur fakte dhe pa arsyetuar. Shpresoj të jeni të ndërgjegjshëm për injorancën tuaj”. Aleksia është shfaqur thuajse në të gjitha mediat dhe portalet, pas përzgjedhjes së fotografisë së saj në cover-in e njërës prej revistave më prestigjioze në Itali.

Fotoja shfaqte Aleksian me flokët dhe grimin e realizuar nga Klodi Mengri. Ajo është nxënëse në kolegjin “Turgut Ozal”, njëkohësisht edhe pjesë e agjencisë së modeleve “Grace Agency”, që drejtohet nga Greiss Petrovic. Aleksia është vajza e madhe e politikanit 46- vjeçar. Nga martesa me Amardën ai ka dhe dy djem, Stivin dhe Johanin./Panorama Plus/