Zv.kryeministri Erion Braçe ka prezantuar sot Artan Lamen si drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një institucion i sapokrijuar që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n.

Gjatë prezantimit, Braçe tha se objektivi i qeverisë është zgjidhja e problemeve me pronat dhe certifikimi i tyre ndërsa theksoi se është bërë një punë e mirë me legalizimet por edhe një betejë që do vazhdojë.

"Certifikimi i pronave është prioritet i qeverisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me legalizimet. Është një betejë që do vazhdojë për të përfunduar procesin e legalizimi të objekteve të paligjshme kudo që ndodhen, në periferi apo zona të populluara dhe ajo përvojë duhet të shërbejë për të çuar para proceset që kemi nisur. Dua të falënderoj zotin Lame dhe të gjithë kontributorët e tjerë. Dua të falënderoj edhe të gjithë drejtuesit e deri sotëm të ZRPP që kanë përballuar një fluks të jashtëzakonshëm në punë për certifikimin e pronave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Qoftë ato nga procesi i legalizimeve qofshin toka bujqësore", deklaroi Braçe.

Ai premtoi se do ta ndjekë personalisht jo vetëm mbarëvajtjen e këtij institucioni por të gjithë koordinimin me institucionet e tjera.