Agjencia turke e Inteligjencës (MIT) ka kapur dhe dorëzuar përpara autoriteteve vendase të paktën 80 pjesëtarë të organizatës FETO, në operacione të shtrira në 18 vende. Deklarata vjen nga zv/kryeministri i Turqisë, Bekir Bozhdag, i cili tha se operacioni i suksesshëm në Kosovë ishte i fundit i një radhe të gjatë.
“Në operacionet jashtë vendit, MIT i ka shkaktuar goditje të madhe organizatës terroriste FETO-s. Ajo që ndodhi në Kosovë ishte një sukses i madh, një bashkëpunim i shkëlqyer i shërbimeve tona sekrete me ato kosovare”.
Megjithatë numri dy i qeverisë turke nuk përmendi vendet se ku janë kryer operacionet për kapjen e turqve të akuzuar si ‘gylenistë’.
Të mërkurën, Gjykata e Lartë në Turqi lëshoi kërkesa ekstradimi për 54 persona në 24 vende, mes tyre edhe Shqipëria, ku dyshohet se fshihet Nevzat Aivaçi, i njohur nga autoritetet turke si një nga njerëzit e besuar të klerikut në arrati Fetullah Gylen.
Sakaq Turqia pritet të zgjasë sërish gjendjen e jashtëzakonshme që i jep presidentit Erdoan plotfuqishmëri, për shkarkimin dhe emërimin e drejtpërdrejtë të figurave kryesore të shtetit.