TIRANE, 23 nëntor 2013  – Idlir Peçi, djali i ish-ministrit të Drejtësisë, Spiro Peçi është emëruar dje numri dy i këtij dikasteri. Ai ka rimarrë shtetësinë shqiptare 10 ditë më parë, me dekretin Nr.8389, datë 13 Nëntor 2013, të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në shkurt të këtij viti, zv/ministri i ri i Drejtësisë, me kërkesë të tij, vendosi të heqë dorë nga shtetësia shqiptare. Kjo faktohet nga një tjetër dekret i firmosur nga Nishani. Konkretisht, Idlir Spiro Peçi figuron i 19-ti në listën prej 27 personash për të cilët Presidenti i Republikës ka firmosur me dekretin Nr.7941, datë 5 shkurt 2013, lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare. Rifitimi i saj, vetëm pak ditë më parë duket se ka lidhje pikërisht me emërimin e djeshëm të tij në postin e zv/ministrit të Drejtësisë. 

KARRIERA 
I diplomuar jurist pranë Universitetit “Aristotelos” të Greqisë, Idlir Peçi ka kryer studimet “Master” dhe Doktoraturën në Universitetin e Groningenit, Holandë. Ai është themelues dhe koordinator akademik i qendrës kërkimore të Magjistraturës, në Tiranë, e cila ofron këshilla ligjore pro-bono për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Peçi gjithashtu është mbikqyrës i Programit të Klikinës Ligjore në Universitetin e Utrechtit, duke ofruar asistencë ligjore për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ndërkohë që ka qënë raportues kombëtar për Holandën në projektin e financuar nga Bashkimi Evropian dhe i realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Luxemburgut, me titull “Hetimet në BE: Drejt një Prokurori Publik Evropian”. 

/Balkanweb /