Presidenti rus Vladimir Putin i ka drejtuar një ftesë të hapur presidentit amerikan Donald Trump për të vizituar Moskën. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse TASS.
Sipas Ryabkov, ftesa iu bë Trumpit gjatë takimit mes dy liderëve në Anchorage të Alaskës dhe vijon të jetë në fuqi, me kusht që të ketë përparim në trajtimin e çështjeve thelbësore që, sipas tij, ndodhen në themel të krizës globale.
“Sigurisht që në Anchorage iu bë një ftesë presidentit Trump për të vizituar Federatën Ruse”, deklaroi Ryabkov, duke shtuar se “ashtu si me format e tjera të komunikimit mes presidentëve të Rusisë dhe SHBA-së, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: fillimisht duhet të arrihet thelbi i çështjeve dhe më pas të përcaktohet vendi i takimit të radhës”.
“Rusia nuk mund të frikësohet”
Në të njëjtën intervistë, e cila pritet të publikohet e plotë të hënën nga TASS, zëvendësministri rus i Jashtëm theksoi se “Rusia nuk mund të frikësohet”, duke nënvizuar se “siguria kombëtare e vendit është 100% e garantuar”.
“Në fund të fundit, këto janë çështje për qeverinë amerikane. E përsëris, siguria jonë është 100% e garantuar. Por nëse dikush mendon se mund të na frikësojë ose të na detyrojë të justifikohemi, asnjëra nuk do të funksionojë. Sidomos e dyta, sepse nuk ka asnjë arsye për këtë”, deklaroi Ryabkov, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Moska kishte dijeni për ‘armët sekrete’ të përmendura nga presidenti amerikan.
Kujtohet se Donald Trump ka deklaruar më herët se Shtetet e Bashkuara disponojnë sisteme armësh të panjohura për pjesën tjetër të botës, duke përmendur edhe përdorimin e armëve zanore nga Uashingtoni në Venezuelë.
Ryabkov përfundoi duke theksuar se pala ruse “disponon një bazë të plotë dokumentacioni që përcakton rregullat për përdorimin e armëve bërthamore dhe të armëve të tjera të teknologjisë së avancuar në situata të ndryshme”.





