Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka zhvilluar inspektime në dy nga pikat kryesore hyrëse e dalëse kufitare, në Portin e Durrësit dhe në Morinë, Kukës.
Voda pati takime me zyrtarë policorë në këto dy PKK dhe bisedoi mbi planin e masave në kuadër të sezonit të ri veror turistik. Mësohet se zv.ministrja e Brendshme inspektoi nga afër punën e strukturave kufitare, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët.
Gjithashtu u trajtua problematika dhe masat shtesë për të parandaluar rastet abuzive të lëvizjes në zonën Shengen, nga qytetarë shqiptarë. Inspektimet patën në fokus luftën kundër trafiqeve të paligjshme, nga agjencitë ligj zbatuese në vend.
Në Morinë u diskutua edhe mbi ecurinë e marrëveshjes me palën e Kosovës për kontroll të përbashkët, me modelin "Një ndalesë, Një kontroll".





