Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini foli gjatë një interviste për emisionin “ABC-ja e mëngjesit” për aplikimin e vaksinës antiCovid te kategoritë e veçanta, ku përfshihen persona që vuajnë nga sëmundje kancerogjene, me kimioterapi apo edhe persona që marrin dializë.
E pyetur nga gazetari Enkel Demi, përse kategoritë e larpërmendura ende nuk ka marrë thirrje për të aplikuar vaksinën anti-Covid, Tomini tha se kjo vlerësohet nga ekspertët.
“Sipas ekspertëve të vaksinimit, duke vënë re edhe incidencën e Covid-19 po tek këto grupe që kanë sëmundje bashkëshoqëruese ata vlerësojnë nëse është apo jo ky grup primar për tu vaksinuar apo jo. Ndërkohë që ne nuk kemi kaluar te grupet të përcaktuara, por është parë e arsyeshme që pas personelit shëndetësor të linjës së parë ishte grupmosha me imunitet më të kompromentuar pra fasha 70+. Pra e varur edhe nga sasia dhe stoku i vaksinës do të procedohet tani e më tutje me grupet e riskut”, tha Tomini.





