Zëvendës presidenti i grupit të PPE, Andrey Kovacev ka folur për çështjen e integrimit si dhe situatën politike në Shqipëri.

Nga Pusteci, Kovacev i pyetur për shtimin e dy kërkesave të tjera për çeljen e negociatave të Shqipërisë tha se duhet të nisin negociatat dhe ndërkohë të adresohen problemet.

“Pozicioni ynë është mbështetës dhe ne mendojmë se hapja e negociatave duhet të nisin dhe ndërkohë duhet të adresohen problemet. Ne e mbështesim dhe jemi pro. Ne nuk do të interpretojmë situatën politike por presim që negociatat të hapen”.

I pyetur për deklaratën e presidentit që ndërkombëtarët po favorizojnë kapjen e drejtësisë ai tha se:

“Unë nuk mund të komentoj diskutimet e politikës të brendshme dhe mendoj se kjo nuk është puna ime. Interesi i qytetarëve të Shqipërisë që partitë politike të bëjnë kompromise të brendshme dhe kjo është interesi i Shqipërisë që të hapen negociatat. Rëndësi ka që Shqipëria të përmbushë kushtet e vëna nga Komisioni i Venecias dhe BE për lirinë e medias dhe gjithë pikat e tjera”.