Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për shpalljen e turneut ballkanik prej datave 15 e deri më 17 gusht, thuhet se Biden do të mbajë takime me Presidentët dhe Kryeministrat e të dy vendeve, por nuk është thënë se për cilat çështje do të diskutohet.

Prej zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara, sekretari i shtetit, John Kerry, e ka vizituar Kosovën dhe Serbinë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Vizita e tij në Prishtinë ishte theksim i shqetësimeve perëndimore për ritmin e ngadalshëm të progresit, 16 vite pasi NATO-ja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e vuri Kosovën në rrugën e pavarësisë, raporton agjencia “Reuters” nga Uashingtoni, duke shtuar se Kosova, me popullatë shumicë shqiptare myslimane, por vend sekular dhe në mënyrë të fuqishme proamerikan, e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.