Referuar statistikave, Durrësi këtë sezon veror ishte kampion i turizmit për shkak të numrit mjaft të lartë të vizitorëve të huaj, rreth 1 milion të tillë.

Meritë kjo e padiskutueshme e operatorëve turistikë dhe strukturave hoteliere, që vit pas viti kanë rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit dhe numrin e shtretërve, ofrojnë paketa turistike mjaft të favorshme, por edhe promovojnë më së miri vendin tonë në tregun ndërkombëtar.

Por edhe pse kanë regjistruar shifra shumë të kënaqshme, vend për përmirësim të mëtejshëm ka gjithnjë. Për këtë arsye, në një nga hotelet më të njohura të qytetit ka ardhur këto ditë zv/presidentja e zinxhirit hotelier Best Western Hotels & Resorts për Evropën juglindore, Katerina Kyriakopoulou.  

Jam këtu për të trajnuar stafin dhe më pas së bashku do të hartojmë planin për promovimin e hotelit në tregun ndërkombëtar. Në përfundim të vizitës sime do të kemi një paketë të plotë marketingu për ta reklamuar në mënyrën më të mirë të mundshme hotelin jashtë kufinjve të Shqipërisë.

Ju keni një produkt shumë të mirë këtu dhe ne ndihemi të lumtur për t’ua propozuar klientëve të Best Western frekuentimin e hotel Adriatik. Është bukur që e kemi partner, sepse i shton edhe më shumë vlerat markës sonë ndërkombëtare”,- thotë Kyriakopoulou.

Kjo nuk është hera e parë që menaxherja e zinxhirit hotelier me 5 yje vjen në Durrës, por pas çdo rikthimi ndryshimet janë goxha të prekshme. Premisat duken shumë të mira, prandaj ajo shprehet shpresëplotë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit elitar në qytetin 3000-vjeçar.

“Ju e shihni si ka ndryshuar Durrësi vitet e fundit. Ju patët një verë shumë të ngarkuar. Po, Durrësi ka potencial për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit elitar në të ardhmen”,- thotë ajo.

M.B.